Interi i ka dhënë lamtumirën këtë vit të tre portierëve që kishte në radhët e tij dhe tani është në kërkim të një titullari që t’i garantojë cilësi mes shtyllave. Zikaltrit janë në kontakt me emra të ndryshëm të njohur, ndërsa së fundmi kanë piketuar edhe një nga protagonistët e Botërorit 2022.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se emri për të cilin kanë nisur kontaktet është Emiliano Martinez, portieri i Argjentinës i cili u kthye në një nga emrat më të lakuar për pritjet e tij në rrugëtimin drejt fitores së trofeut. Raportohet se Interi ka ofruar 15 milionë euro për kartonin e tij, por Aston Vila ka refuzuar, teksa pret një ofertë të dytë të përmirësuar.
Negociatat mes klubeve vazhdojnë dhe pasi të gjendet akordi mes tyre, Interi mund të kontaktojë me “Dibu” Martinez për të bindur këtë të fundit të bëhet pjesë e zikaltërve dhe të mbajë vendin e titullarit.
PANORAMASPORT.AL