Rikthimi nga Arabia e ka gjetur sërish në rrugë Interin, që do të udhëtojë drejt Firences për transfertën e së dielës në mbrëmje. Ndaj Fiorentinës në 20:45, zikaltrit do të provojnë të vazhdojnë serinë pozitive dhe një stimul vjen nga statistikat. Në përgjithësi, sa herë që Interi udhëton, e ka zili Europa:
nuk ka asnjë skuadër në pesë kampionatet kryesore që të ketë grumbulluar të njëjtat pikë larg shtëpisë, si ajo e Inzagit. Për momentin, ata kanë luajtur 20 ndeshje në kampionat, një më pak se lideri i përkohshëm, Juve dhe rendimenti është i ndarë në mënyrë të barabartë: në “San Siro” 10 ndeshje dhe 25 pikë, me një pikë më shumë që mungon për të vendosur totalin prej 51 pikësh.
Para tifozëve të tyre humbja e vetme në kampionat ka ardhur ndaj Sasuolos, së cilës duhet shtuar edhe barazimi i pësuar ndaj Bolonjës, ndërsa Interi nuk ka pësuar ende humbje në Serinë A jashtë shtëpisë: përveç 8 fitoreve në shtëpi, ka edhe disa barazime. Barazimi i parë ka ndodhur në stadiumin e Juves, i dyti ishte ai i ndeshjes së fundit të 2023-shit kundër Xhenoas.
RREZIQET –
Në “Artemio Franchi”, me ritmin që Italiano di të imponojë, rreziku është gjithmonë i lartë, aq më tepër duke pasur parasysh trukun e kalendarit: Juve, në shtëpi me Empolin sot, mund të shkojë në +4 për një natë. Alegri vërtet do të kishte dy ndeshje më shumë se Inzagi, por rreziku i një reagimi psikologjik është real. Zikaltrit nuk e kanë përjetuar kurrë ndjesinë e çuditshme të një ndjekjeje nga distanca dhe, për më tepër, kujtimi i dy sezoneve më parë valëvitet mes mureve të Apianos.
Çalha dhe Barela po ashtu do të mungojnë, por Inzagi gjithsesi e di që Asllani dhe Fratezi bindin dhe kur të tijtë bëjnë valixhet për të udhëtuar, janë gjithmonë të sigurt. Mesatarja e Interit prej 2.6 pikësh për ndeshje jashtë fushe është më e mira nga të gjithë, jo vetëm në Itali. Pas tyre janë dy surprizat e sezonit: Bajern Leverkusen (2.56) dhe Girona (2.4), që po shkundin Bundesligën dhe La Ligën. Edhe Juve ka një marshim të fuqishëm jashtë, 2.33 pikë për ndeshje, ndërsa për të gjetur një rival të Ligës së Kampioneve në lartësi të ngjashme duhet të arrish në vendin e katërt të zënë nga Bajern Mynihu (2.38).
Nëse ka nevojë për të tjerë numra për t’u bindur për këtë koncept, zikaltrit kryesojnë gjithashtu në gola të shënuar dhe të pësuar larg “San Siro”-s. Siti dhe Totenhem kanë shënuar gjithashtu 24 gola jashtë fushe në kampionat, si zikaltrit, por me një transfertë më shumë, ndërsa askush nuk e ka ulur qepenin jashtë më mirë se Zomer (4 gola të pësuar). Të gjitha këto kanë shërbyer për t’i dhënë besim një skuadre që edhe pse me një udhëtim të lodhshëm në mes, me dy ndeshje më shumë në këmbë (ato të Superkupës) dhe me një ndeshje më pak në kampionat që rrezikon t’ia nisë ndeshjen në Firence -4 nga Juvja, është e bindur se mund t’ia dalë për yllin e dytë.
Përgatiti: NISLI GJINI- PANORAMASPORT.AL