Një reklamë për sponsorin e tij teknik ka qenë rasti për Rafael Leaon që të japë një intervistë. Që nga fëmijëria e deri të ndeshja e parë si kapiten i Milanit janë temat e diskutuara me portugezin që nuk kursen edhe detajet më të vogla.
Si ka qenë Leao në vegjëli?
Kam qenë gjithmonë një djalë introvert, mjaft i turpshëm, gjithmonë me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, me dëshirën për të fituar dhe për të mos u dorëzuar. Kam dashur gjithmonë të transmetoj energji pozitive te njerëzit që më rrethojnë. Doja të isha një person i rëndësishëm në botën e futbollit, një model, një imazh, për njerëzit me të cilët u rrita dhe për familjen time.
Po raporti juaj me muzikën, si është?
Ishin dy anëtarë të grupit që tashmë po këndonin, Juzicy dhe KidRobin, ata që më inkurajuan të filloja të këndoja. Duke qenë se jemi një grup shokësh që jemi rritur bashkë në të njëjtën lagje, ishte e natyrshme që unë t’u bashkohesha atyre. Ajo që përpiqem të bëj në muzikë është të sigurohem që njerëzit të mos kenë frikë të shprehin atë që ndiejnë. Qëllimi im është të shtyj njerëzit e lagjes sime, njerëzit me të cilët ndaj përditshmërinë time, të mos kenë frikë të shprehin atë që duan të shprehin e që të jenë gjithmonë vetvetja.
Si është të bësh dy profesione kaq të ndryshme?
Unë jetoj mirë me të dyja, padyshim që njerëzit i bashkojnë të dyja gjërat dhe emri im artistik nuk do të flasë kurrë aq fort sa emri im si futbollist. Ata do të jenë gjithmonë të lidhur. Synimi im është të shtyj artistët e shtëpisë sime diskografike për të arritur disa faza që besoj se janë të arritshme. Si artist, nuk mendoj vetëm për veten. Fillova të bëj muzikë si hobi. Tani mund të them që është edhe profesion, sepse i marr gjërat seriozisht.
Le të kthehemi pak te futbolli. Çfarë kujtoni nga gjysmëfinalet e Championsit të kaluar?
Patëm disa mungesa dhe, për shkak të mungesës së zgjidhjeve në stol, Interi ishte dukshëm superior. Ata kanë një skuadër shumë të kompletuar, si në formacionin e parë ashtu edhe në pankinë dhe mendoj se kjo bëri diferencën në dy ndeshjet.
Çfarë ëndrrash keni te Milani?
Mendoj se klubi është në rrugën e duhur, sepse pas titullit arritëm të kualifikohemi deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Tani synimi i klubit duhet të jetë, të vazhdojë të rritet, të vazhdojë të përmirësohet e të vazhdojë të jetë i fortë. Dhe jam i sigurt se Milani së shpejti do t’i rikthehet fitimit të Champions-it, që është edhe synimi ynë. Unë flas për veten time, jam i ri, jam një lojtar që dëshiron të fitojë gjëra të mëdha, mendoj se Liga e Kampioneve është ëndrra e çdo lojtari dhe ne po punojmë për këtë.
Sa ndikon që jeni një skuadër me moshë të ulët mesatare?
Edhe pse jemi të rinj, kemi luajtur tashmë më shumë se 50 ndeshje në Serinë A, më shumë se 20 në Champions, ndaj mund të thuhet se tashmë kemi përvojë. Mund ta marrim këtë përvojë dhe këtë freski të të qenit të rinj dhe ta aplikojmë në fushë për të arritur qëllimet tona.
Si do të reagonit në rast të një oferte nga Arabia?
Nuk kam arritur ende rezultate të mëdha për të shkuar në një kampionat të tillë. Këto ditë paratë kanë folur më shumë, por për mua një Ligë e Kampionëve vlen më shumë se një pagë prej 10 milionësh për shembull.
A do të jetë e ardhmja juaj e gjitha kuqezi?
Kurrë nuk mund të thuash kurrë, por unë jam në një klub që më priti shumë mirë, sapo kam rinovuar e nëse do të kisha menduar të largohesha nuk do të rinovoja. Personalisht jam i fokusuar të bëj gjëra të mëdha në dy ose tri vitet e ardhshme në Milano.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL