“Klasikja” e Europës mes Bayern-it dhe Real-it ka bërë që në mediet spanjolle të rishfaqen disa prej personazheve, të cilët kanë bërë historinë e klubit mbretëror. Njëri prej tyre është Carlos Alonso González, i cili njihet me nofkën “Santillana”. Ish-sulmuesi numëron 290 gola me Real-in mes viteve 1971-1988. Falë golave të tij klubi madrilen ka qenë autor i disa përmbysjeve të mëdha në Europë në vitet ’70 dhe ’80. Me golat e tij Real-i përmbysi skuadra si Derby County, Celtic, Inter Milan dhe Borussia Mönchengladbach. Nesër ekipit të Arbeloa-s i duhet mrekullia e radhës ku në Mynih shkon pas një humbjeje 2-1 të pësuar në “Bernabeu”.
Mund të themi se Bayern-i aktual është më pak i frikshëm se ekipi që është përballur me ju?
Sigurisht. Në atë kohë, ne ishim ata që kishin frikë, dhe të luaje kundër gjermanëve ishte një makth. Ata nuk ishin vetëm teknikisht superiorë, kishte një problem tjetër. Ishin më të fortë, më të mëdhenj dhe më të shpejtë.
Je përballur me Bayern-in që në moshë të re…
Isha pak më shumë se 20 vjeç në gjysmëfinalet e vitit 1976. Në ndeshjen e parë, në Bernabéu, barazuam 1-1. Meritonim më shumë; luajtëm shumë mirë. Në ndeshjen e dytë, ata na mundën 2-0.
Si e mbani mend Beckenbauer-in?
Për mua, ai ishte një idhull. Ai kishte një prani spektakolare në fushë, luante me elegancë. Ai dilte nga zona të thella, duke thyer repartet. Ishte një spektakël ta shihje të luante.
Po Müller?
E quanin ‘gjahtari i golave’ dhe nofka ishte mjaft e përshtatshme. Ai ishte një lojtar dinak, si një gjuetar, në kuptimin më të mirë të fjalës.
Mund të na tregoni diçka më shumë rreth humbjes 9-1 që pësuat kundër Bayernit në 1980-ën?
Edhe mund të mos e besoni e kam një shpjegim. Ne sapo kishim mbyllur fazën përgatitore në Holandë. Ishte ndeshja jonë e parë atë sezon dhe nuk ishim vërtet gati, ndërsa gjermanët e kishin filluar Bundesliga-n.
Mund të themi se e keni një alibi…
Nuk po them se nuk mund të na mposhtnin, por ne atë ditë nuk ishim në formë ndërsa rivalët thejsht fluturonin në fushë. Nuk ishim të përgatitur për të luajtur atë ndeshje.
Për ndeshjen e radhës u desh që të prisnit deri në 1987-ën.
Ndeshja e parë luhej në Mynih dhe ata na mundën 4-1. Ishte një Real Madrid ndryshe atëhere. Ne fituam ndeshjen e dytë, 1-0, me një gol të shënuar nga unë.
A ishte vërtet kaq e vështirë të fitohej në Mynih?
Pika e tyre e fortë ishte forca fizike. Bayern-i ishte një ekip shumë i fortë. Tani gjërat kanë ndryshuar pasi Real-i është më i fortë. Mjafton të shikosh Valverde-n, Tchouameni-n, Militao-n, Rüdiger-in, Bellingham-in, Camavinga-n të gjithë janë atletë.
Hera juaj e tretë që u përballët me gjermanët ishte në çerekfinale, në vitin 1988.
Më në fund erdhi radha jonë! Fituam 3-2 në Mynih dhe 2-0 në “Bernabéu”. Unë nuk luajta shumë pasi titullarë ishin Hugo dhe Butragueño. Kishim një ekip fantastik.
A mendon se Real-i i Madridit mund të kualifikohet në Mynih?
Kjo skuadër e Real Madridit është e aftë të fitojë në shtëpi dhe jashtë fushe. Ne kemi lojtarë me cilësi të pabesueshme. Për mua, çelësi është të jesh i fortë në mbrojtje. Mendoj se këtë ndeshje do ta fitojë mbrojtja.