Sfida me Romën është hedhur pas krahëve në kampin zikaltër të Interit, që të shtunën pasdite do të impenjohet në transfertën e komplikuar të Bergamos, për të sfiduar Atalantën e Gasperinit.
Trajneri Simone Inzaghi pranoi se bëhet fjalë për një sfidë të vështirë dhe shumë të luftuar fizikisht, teksa theksoi se vetëm falë përqendrimit maksimal mund të arrihet rezultati pozitiv.
“Është një trasnfertë e vështirë, përballë një skuadre me një trajner si Gasperini, që prej shumë kohësh ka ndërtuar një futboll të bukur.
Përballen dy skuadra shumë të forta fizikisht, ndaj do të jetë një ndeshje impenjative dhe vetëm nëse përqendrohemi maksimalisht, mund të marrim një rezultat pozitiv”, u shpreh Inzgahi.
Tekniku zikaltër nuk dha sinjale mbi formacionin e mundshëm, teksa u ndal të flasë edhe për Marcus Thuram, sulmuesi francez që po bën shumë mirë në këtë fillim kampionati me Interin.
“Për formacionin nuk kemi vendosur ende, por nuk ak rëndësi kush luan.
E rëndësishme është të impenjohemi si duhet, pasi është transfertë e vështirë.
Thuram është paraqitur me frymën e duhur që në 13 korrik, duke vënë theksin te grupi dhe jo te individi, teksa rezultatet e punës po shfaqen nga java në javë”, tha trajneri i Interit.