Interi e mbrojti edhe për një javë tjetër kreun e klasifikimit në Serinë A, pavarësisht minutave të vështira në fund kundër Udinezes. Tani është momenti për duelin e Kupës së Italisë ndaj Milanit, ditën e mërkurë.
Është një sfidë shumë e vështirë dhe e rëndësishme sepse Interi në duelet direkte me skuadrat e mëdha dhe veçanërisht me Milanin nuk ka bërë mirë këtë sezon dhe për më tepër mund ta çojë drejt finales së Kupës së Italisë. Një trofe që në epokën “Inzagi” ka pasur gjithmonë rëndësi, por vitin e kaluar u eliminua në fazën e 1/8-ave nga Bolonja.
Plani taktik i trajnerit zikaltër për këta 3 muaj me shumë impenjime dhe pa pushim në tri frontet (kampionat, kupë, Champions) është i qartë:
Të kërkojë që të diktojë sa më shpejt ndeshjen duke imponuar ritëm dhe lojë për të pasur avantazhin dhe pastaj të menaxhojë forcat dhe rezultatin. Duhet që në këtë mënyrë të menaxhojnë edhe forcat deri në minutën e 90-të ose më shumë kur është nevoja. Kjo u pa edhe ndaj Udinezes, me një pjesë të parë me nivel të lartë, por me një fund ndeshjeje drithërues. Skuadra nuk e menaxhoi dot kontrollin e topit, por u tërhoq shumë në mbrojtje.
Kjo, për meritë të kundërshtarëve, por jo vetëm. Ajo që ndodhi nuk është një rast i veçuar sepse po i ndodh shpesh Interit. Përveç gabimeve individuale, plani taktik i trajnerit është vështirësuar nga shumë dëmtime që detyrojnë lojtarët të luajnë çdo 3 ditë. Në këto kushte, diskutimi mes titullarëve dhe bashkëtitullarëve dhe mbi rrotacionin dhe menaxhimin e organikës shkojnë përtej mundësive. Inzagi nuk e mohoi.
“Jemi në vështirësi. Duke luajtur kaq shpesh dhe shumë është e vështirë që të rikuperojmë energjitë. Me përjashtim të Çalhanoglusë, të gjitha zëvendësimet e tjera ishin të detyruara. Arnautoviç dhe Fratezi më kërkuan largimin. Dimarko dhe Darmian vinin nga një periudhë e gjatë pa luajtur. Taremi ka një dëmtim dhe De Vraj ishte në stol sa për të thënë”, ishte deklarata e trajnerit.
DERBI- Por me Milanin kush do të luajë? Lautaro, Dumfris dhe Zielinski do të vazhdojnë të jenë të padisponueshëm edhe për këtë ndeshje. Për Arnautoviçin dhe Fratezin ka shpresë. Ndoshta De Vraj do të rikthehet të punojë me grupin. Taremi do të qëndrojë jashtë fushave për një muaj, ndërsa Asllani është i skualifikuar në Kupë. Kështu, e detyron Çalhanoglunë që të mos bëjë pushim. Pritet që trajneri të ketë më shumë besim dhe t’u japë minuta disa lojtarëve si Bisek, Zalevski, Barela dhe Korrea. Ndoshta do të rikthehet në portë edhe Martinez, por me Zomerin skuadra është më e sigurt.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL