Ndeshja ndaj Egjiptit në Kupën e Botës u pagëzua si një simbol për të drejtat e njeriut, por presidenti i federatës iraniane është kundër të luajturit me ngjyrat e ylberit.
Ndeshja mes Iranit dhe Egjiptit vazhdon të sjellë diskutime. Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka folur për sfidën e programuar më 26 qershor në Seattle për fazën e grupeve të Botërorit. Kjo ndeshje është kthyer në “Pride Match”, që hap “PrideFest”. Taj e ka quajtur iniciativën “një sulm ndaj vlerave islamike”.
Presidenti i federatës iraniane ka evidentuar faktin se ndeshja në fjalë koincidon me muajin e shenjtë të Ramazanit. Në Iran homoseksualiteti konsiderohet një mëkat i ndëshkueshëm, ndërsa në Egjipt është vepër penale. Për këtë arsye të dyja kombëtaret i kanë kërkuar FIFA-s të heqë elementët që lidhen me “Pride”, ose të spostojë ndeshjen.
“Nuk duam që ndeshja jonë e tretë në Botëror të luhet nën ngjyrat e ylberit. Jemi të vendosur ta kundërshtojmë dhe do ta bëjmë, – ka pohuar më tej Taj. – Disa iniciativa janë në kundërshtim me vlerat kulturore, fetare dhe sociale, veçanërisht në shoqërinë arabe dhe islamike”.
Drejtuesit lokalë të Seattle kanë konfirmuar se celebrimet do të vazhdojnë në gjithë qytetin për të promovuar përfshirjen e komunitetit Lgbtq+. FIFA ka thënë në lidhje me këtë çështje se kontrolli i saj limitohet vetëm me stadiumet dhe “fan zone” zyrtare, jo me eventet e organizuara nga komuniteti lokal.


