Përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrimson, dhe mbrojtësi Dara O’Shea kanë folur në konferencën për media para përballjes me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Hallgrimson ka vlerësuar lart zhvillimin e Kosovës ndër vite, duke theksuar se nga vendi i 190-të në renditjen e FIFA-s në vitin 2016, tash është ngjitur në vendin e 78-të.
“Është një rritje e jashtëzakonshme. Shumë mirë për federatën këtu për mënyrën se si i kanë zhvilluar lojtarët e tyre”, ka thënë ai.
Trajneri irlandez e ka cilësuar Kosovën si kundërshtar të vështirë dhe ka pranuar se edhe një barazim do ta kënaqte.
“Padyshim që do të jetë një ndeshje e vështirë. I kemi analizuar mirë dhe i kemi shqyrtuar pikat e tyre të forta, të cilat i kanë shumë. Do të ishim të lumtur edhe me një barazim”, është shprehur Hallgrimson.
Ai veçoi Vedat Muriqin si një nga lojtarët që Irlanda duhet ta ketë nën vëmendje, duke përmendur edhe Fisnik Asllanin dhe lojtarët kosovarë që aktivizohen në klube të mëdha evropiane.
Ndërkohë, O’Shea foli për zhurmën e krijuar gjatë javës, duke thënë se lojtarët janë munduar të qëndrojnë të bashkuar dhe larg rrjeteve sociale.
“Ka pasur shumë zhurmë këtë javë. Jemi përpjekur të qëndrojmë larg rrjeteve sociale dhe të qëndrojmë të bashkuar. Kemi një ndeshje të madhe nesër dhe ky ka qenë fokusi ynë. Kosova ka qenë një skuadër e shkëlqyer dhe jemi të përgatitur”, ka deklaruar O’Shea.
Kosova dhe Irlanda përballen të enjten nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.