Trepça dhe Golden Eagle Ylli janë me një këmbë në finalen e basketbollit kosovar pasi kanë krijuar avantazh prej 2-0 në ndeshjet gjysmëfinale ndaj Sigal Prishtinës respektivisht Pejës.
Dje u zhvillua edhe ndeshja e dytë gjysmëfinale mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës aty ku mitrovicasit triumfuan pas një ndeshje të ngushtë me rezultat 85-86.
Ish basketbollisti kosovar, Naim Hajrizi gjatë një prononcimi në “GazetaBlic Sport” ka thënë se nuk pret befasi nga seria e gjysmëfinaleve dhe potencon se pret që Trepça dhe Ylli të kryejnë punë në ndeshjet e radhës duke mbyllur seritë me rezultat 3-0.
“Edhe pse kanë shkuar ndeshjet afërsisht të barabarta nuk pres befasi nga Sigal Prishtina dhe Peja. Trepça dhe Ylli kanë rotacione më të mëdha të lojtarëve vendor ashtu dhe cilësi më të mëdha te lojtarët e huaj. Edge është një lojtar që po bën diferencën një lojtar që basketbolli kosovar nuk e ka pasur prej kohësh. Peja është dorëzuar para fillimit të play-offit, ka mbetur pa lojtarë të huaj – rotacionin e lojtarëve vendor nuk e ka të zgjeruar. Lis Shoshi nuk po mundet të kthehet në formë pas lëndimit. Pres finalen mes Trepçës dhe Yllit”, tha fillimisht ai për GazetaBlic Sport.
Hajrizi tutje e cilëson Trepçën si favorite për të triumfuar në fund në një finale të mundshme me Golden Eagle Yllin.
“Trepça është favorite e krejt kampionatit, të gjitha kompeticionet i ka fituar. Si Superkupën si Kupën Kombëtare si Ligën Unike. Ka treguar formë më të mirë është një seri të mirë të rezultateve. E shoh si favorite, por jo si favorit absolut, megjithatë mendoj se ka përparësi të vogël sidomos kur marrim parasysh përparësin e terrenit vendas”, përfundoi ai për GazetaBlic Sport.