Ish-futbollisti francez, Christophe Dugarry ka përmendur Kosovën dhe Shqipërinë, të cilat sipas tij, janë në mesin e disa kombëtareve që nuk e meritojnë të luajnë as në kualifikime për Evropian.
Dugarry u tregua i ashpër me deklaratën e tij, pasi i cilësoi si të “kota” disa kombëtare, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.
“Estonia, Azerbajxhani, Mali i Zi, Lituania, Sllovenia, Kazakistani, Moldavia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Malta, Kosova, Andorra, Armenia. Të gjitha këto ekipe janë të kota, nuk duhet t’i shohim kurrë” – tha ai në emisionin “Rothen S’enflamme”, në RMC Sport, përcjell lajmi.net.
Megjithatë, ai duket se harroi për një moment që dy kombëtare që ai përmendi, janë kualifikuar në Kampionatin Evropian 2024, që mbahet në Gjermani.
Shqipëria e Sylvinhos siguroi biletën për pjesëmarrje në Euro 2024, disa ditë më parë. Kombëtarja tjetër që u kualifikuar ishte edhe Sllovenia.
Kujtojmë që ish-sulmuesi Dugarri, numëron 55 ndeshje me Kombëtaren e Francës, teksa ka shënuar vetëm tetë gola.
51-vjeçari në të kaluarën ka qenë pjesë e Milanit, Barcelonës, Marseilles, Birminghamit e disa skuadrave tjera./Lajmi.net/