Paul Pogba mund të jetë pranë një momenti vendimtar në karrierën e tij, disa muaj para përfundimit të pezullimit për doping, që e pengon të kthehet në fushë para marsit 2025. Kështu ka deklaruar Louis Saha.
Sipas ish-lojtari i francez, bashkëkombës i tij, mund të ketë një ftesë nga Manchester United, tani nën drejtimin e Ruben Amorim, që mund t’i hapë rrugën për një rikthim të madh, pas përfundimit të lidhjes me Juventusin dhe pas shlyerjes së dënimit.
Mesfushori i Juventusit kishte rezultuar pozitiv ndaj testosteronit në fillim të sezonit.
“Kam dëgjuar që Pogba do të ketë mundësinë të kthehet dhe të stërvitet me Manchester United në fillim të Vitit të Ri, dhe mendoj se kjo do të ishte një mundësi e shkëlqyer për Paul-in,” tha Saha për ‘Casino Utan Spelpaus’.
“Ai ka nevojë të rikthehet në nivelin e tij më të mirë sa më shpejt të jetë e mundur dhe stërvitja me lojtarë të nivelit të lartë do ta ndihmojë ta arrijë këtë. Mendoj se ai do të ishte shumë i entuziazmuar për mundësinë e kthimit në klub,” shtoi Saha, duke iu referuar mesfushorit që u formua në akademinë e ‘Red Devils’, duke përfaqësuar ekipin e parë të klubit anglez në sezonin 2011/12 dhe nga 2016/17 deri në 2021/22.
“Po ashtu mendoj që Paul Pogba mbetet ende një lojtar shumë i veçantë. Kur mendon për mesfushorët, Pogba ka cilësi unike. Dhe mendoj se në skuadrën e United-it mungon fuqia në mesfushë. Po humbim një lojtar të aftë që mund të luajë ‘box-to-box’, ndaj do të ishte një përforcim i mirë, pasi ka një profil të ndryshëm nga ai që United ka aktualisht,” theksoi ai.
Duhet kujtuar se Pogba nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare për më shumë se një vit. Ai bëri paraqitjen e tij të fundit më 3 shtator 2023, në fitoren e Juventusit ndaj Empolit në Serinë A (2-0).