Asane Gnukuri më në fund do të jetë në gjendje të luajë përsëri pasi mori lejen e qëndrimit pas një procesi gjyqësor që kishte vite që vazhdonte. Ish-lojtari zikaltër u njoh si viktimë e trafikut të qenieve njerëzore nga Bregu i Fildishtë dhe kjo e lejoi atë të kthehej për të jetuar rregullisht në Itali, duke ndryshuar identitetin e tij në Alasan Traore.
27- vjeçari ishte përfshirë në operacionin e vitit 2017 në Parma që çoi në arrestimin e tre personave, të akuzuar për nxitje emigracioni dhe falsifikim për hyrje të paligjshme të futbollistëve. Mes tyre janë edhe agjenti Xhovani Damiano Drago që e solli në Itali dhe babai i tij birësues, të cilit kishin falsifikuar dokumentet e lojtarit.
“Më thanë se dokumentet janë false, por nuk e bëra unë. Babai im birësues dhe agjenti më pretuan se ia dërgonin paratë e marra tek Interi mamasë, por nuk ishte e vërtetë. Luajta një derbi me Interin, kam punuar shumë. Kondogbia, Brozoviç, Perisiç, Biabiani, të gjithë më donin dhe Mançini më besoi dhe më zgjodhi të luaja. Pranë më ka qëndruar edhe Frenk Kesi, e njihja para se të vinte te Milani. Ka qenë gjithmonë aty për mua. Tani synimi im është të kthehem të luaj”.
PANORAMASPORT.AL