Friday, 16. October 2026
Futboll

Ish-portieri legjendar që fitoi titullin me Leicester rrëfen jetën e re: Tani jam shofer i Uber

GS 16/10/2026 2 Min. Lesezeit

Ish-portieri danez Kasper Schmeichel, i cili u tërhoq nga futbolli në moshën 39-vjeçare, tani bën një jetë krejtësisht të ndryshme nga ajo që bënte si lojtar profesionist. Larg fushës së blertë dhe larg problemeve nga futbolli.

Që nga shkurti i kaluar, Kasper Schmeichel është përballur me një dëmtim serioz në shpatull: “Kam probleme me bicepsin dhe manshetën rrotulluese. Gjithçka është këputur,” shpjegoi ai në mesin e marsit gjatë një interviste.

Ishte një goditje e rëndë që kërkoi dy operacione dhe përfundimisht e detyroi të tërhiqej nga loja në moshën 39-vjeçare, pasi kishte hyrë në histori si portieri heroik i Leicester të Ranieri që fitoi Premier League në vitin 2016.

Ai u tërhoq në fund të majit të kaluar, por çfarë jete bën sot Kasper Schmeichel? Ish-lojtari danez foli për rutinën e tij të re larg futbollit profesionist dhe se si e kalon kohën gjatë kësaj faze të re.

“Kam tre fëmijë. Në thelb, jam një shofer Uber me kohë të plotë. Është një tranzicion i çuditshëm dhe nuk isha përgatitur për të. Jeta të sjell gjëra të tilla dhe unë po përshtatem,” pranoi Kasper Schmeichel.

Megjithatë, ai ka një ëndërr për të ardhmen. “Po ndjek disa kurse, po punoj në televizion dhe po i çoj fëmijët vend e pa vend. Më vonë, do të doja të bëhesha trajner futbolli ose të merrja një rol më të rëndësishëm. Pasioni është ende gjallë,” tha ai.

“Kur jam në fushë, duke trajnuar ose duke ndihmuar lojtarë të rinj premtues, e shijoj vërtet. Gjithë jetën isha mësuar me pritshmërinë për të dhënë maksimumin dhe kjo më motivonte. Tani, brenda një nate, e gjithë kjo është zhdukur dhe më duhet ta zëvendësoj atë dozë dopamine“, konfirmoi ish-portieri danez.

Teilen: