Ish-sulmuesi i Arsenalit, Theo Walcott, ka folur me superlativa për Granit Xhakën, duke theksuar ndikimin e madh që mesfushori kosovar po ka në skuadrën e Sunderlandit.
Sipas Walcott, transferimi i Xhakës në klubin anglez u prit me habi nga shumëkush, por ai beson se prania e tij është thelbësore për objektivat madhorë të ekipit.
“Shumë njerëz u habitën kur Xhaka iu bashkua Sunderlandit, por nëse ata duan të thyejnë modelin e mbijetesës, ai është faktori kryesor për ta arritur këtë. Aftësitë e tij udhëheqëse dhe shembulli që jep në fushë e bëjnë një lojtar të pazëvendësueshëm,” tha Walcott.
Ai kujtoi edhe kohën kur luajtën bashkë te Arsenali, duke vlerësuar përshtatjen e Xhakës në role të ndryshme. “Kur luante më lart në fushë dukej i lodhur, por kur u rikthye si mesfushor mbrojtës tregoi një anë tjetër të tij. Ishte i saktë në pasime, ndërhyrje dhe në shpërthime vendimtare, edhe pse kurrë nuk ishte lojtari më i shpejtë,” kujtoi anglezi.
Për Walcott, forca më e madhe e Xhakës qëndron në mentalitet dhe sjellje. “Janë momentet kur vendos presionin dhe tonin e lojës, duke treguar çfarë pret nga ekipi i tij. Por mbi të gjitha, ai sjell pasion, etje dhe guxim. Kjo është ajo nga e cila ushqehen shokët e skuadrës,” shtoi ai.
Me këto fjalë, Walcott e cilëson Xhakën si zemrën e re të Sunderlandit, një lojtar që jo vetëm përmirëson lojën, por edhe frymëzon gjithë ekipin me energjinë dhe vendosmërinë e tij.