Olivie Zhiru ka qenë i përfshirë në 23 gola në Serinë A që sapo u mbyll (15 gola dhe tetë asiste). Vetëm dy herë në karrierën e tij ai ka bërë më mirë në një sezon të vetëm në pesë kampionatet më të mira europiane: 24 në 2013-14 me Arsenalin (16 gola + 8 asiste) dhe 30 në 2011-12 me Monpelienë (21 gola + 9 asiste).
Me thuajse 38 vite mbi supe, francezi është lojtari më i vjetër në mesin e atyre me të paktën 23 pjesëmarrje në gola në pesë kampionatet kryesore të Europës në sezonin 2023/24 (15 gola dhe tetë asiste për ish-numrin 9 kuqezi). Të premten në 13:00 sipas orës shqiptare, Milani do të luajë miqësoren kundër Romës në Përth të Australisë. Pikërisht ajo do të jetë edhe sfida e fundit për Zhirunë me fanellën kuqezi e me këtë rast ai do t’u japë lamtumirë shokëve të ekipit. Ndërkohë që për tifozët, ka dhënë një intervistë në televizionin e klubit.
Si ndiheni tani që gjithçka mbaroi?
Arrita të mos qaja të shtunën edhe pse isha shumë i emocionuar. Unë jam i apasionuar pas futbollit si një fëmijë. Ditën e parë në Milano u ndjeva si në shtëpinë time, madje në moshën 35-vjeçare gjeta një rini të dytë me këtë grup shumë të ri. U krijua një alkimi dhe kalova tri vite në të cilat qëndruam të bashkuar edhe në momentet më të vështira. Nuk mund të kisha ëndërruar asgjë më të mirë për këtë aventurë dhe jam një person shumë i lumtur.
E prisnit t’i arrinit këto shifra te Milani?
Në moshën 35-vjeçare kur mbërrita e dija se mund t’i jepja shumë klubit. Isha gjithashtu shumë i lumtur që luaja me Ibrën, ai ishte në krye me mua dhe me grupin. Ishte një privilegj për mua të luaja me të dhe me të gjithë shokët e tjerë. Kur mbërrita, pati konkurrencë mes nesh dhe trajneri na bënte të luanim të dy pak. Pastaj ai u lëndua dhe luajta pak më shumë. U vendosa mirë në Serinë A dhe kalova tri sezone, që ishin të mrekullueshme për mua.
Fanella me numrin 9 është e rëndë. Kujt do t’ia jepnit?
Nuk e di. S’kisha frikë nga ky numër edhe pse Maldini më kishte pyetur në atë kohë: “Je i sigurt?”. Unë u përgjigja: “Nuk është numri i fanellës që më bën të shënoj”. Kisha të drejtë dhe jam krenar për atë që ndamë me këtë fanellë dhe këtë numër.
Sa i rëndësishëm ishte Pioli për ju?
Trajneri është domosdoshmërish një pjesë e rëndësishme e suksesit. E falënderoj dhe ai e di sa shumë e dua. Besimi, marrëdhënia që kishim që në ditët e para. Edhe në momente të vështira i thashë se isha gati për ta mbështetur. Jam gjithashtu i emocionuar për lamtumirën e tij, megjithatë kështu e ka futbolli.
Ju i dhatë lamtumirë edhe Francës dhe me sa duket jeni në fund të karrierës…
Ka melankoli, e ndiej. Kam nostalgji për këto vite, por nuk doja të qaja. Në rrjetet sociale kam vendosur “Viva la vida” nga Coldplay, fundja ky jam unë.
Do të duhet pak kujdes nga trafiku i Los Anxhelosit…
Duhet ende të gjej një shtëpi, do të jetë diçka krejt tjetër.
Kë shihni në vendin tuaj si lider?
Shoh mirë lojtarë si Majk (Menja). Ka personalitet, për mua duhet të vazhdojë të jetë lider brenda dhe jashtë fushës.
Në “San Siro” u patë në fushë me familjen…
Dy vëllezërit dhe motra ime s’ishin, por fëmijët dhe gruaja po. Kam pranë njerëz që kanë shumë vlerë për mua në jetë, që më ndihmojnë çdo ditë, kam nevojë për ta. Jam i lumtur t’i ndaj këto emocione me ta.
Çfarë ju tha Leao?
Ai mendoi se s’do të shkoj në Australi, por jam në dispozicion të klubit, nuk do të largohem kështu.
Si është Milani që po lini? Çfarë mungon për të qenë edhe më lart?
Mund të them që ka shumë gjëra të mira. Unë s’jam trajner apo menaxher. Mos më futni në telashe (qesh). Nuk jam as drejtues i klubit, por mendoj se Ibra do të jetë këtu për të ndihmuar dhe për të dhënë përvojën e tij. Në kampionat këtë vit Interi bëri një ecuri të jashtëzakonshme, por ne jemi të dytët. Shpresoj që Milani të shkojë për yllin e dytë vitin e ardhshëm, duhet pak më shumë konkurrencë për të ngritur stekën. Ka shumë lojtarë me cilësi të lartë. S’jam i shqetësuar për Milanin, shpresoj që pas Piolit të ketë një trajner të madh.
Do të ktheheni në “San Siro”?
Do të kthehem për të parë një ndeshje. Pastaj e ardhmja nuk dihet. Nëse do të doja të punoja për një klub Milani do të ishte maksimumi për mua (qesh).
PANORAMASPORT.AL