I sh-trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, beson se nuk është e drejtë që fituesit e Ligës së Europës të sigurojnë një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin pasardhës. Mançester Junajtid dhe Totenhemi janë dy ekipet më të mundshme për t’u përballur në finalen e Ligës së Europës këtë muaj në Bilbao, pasi të dyja klubet angleze kanë një avantazh të konsiderueshëm nga ndeshjet e para gjysmëfinale.
Mançester Junajtid fitoi në Bilbao me rezultatin 3-0 dhe në “Old Trafford”, të enjten, e nis me një avantazh që e bën dukshëm favorite për të prerë biletën në finale. Edhe Totenhemi ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Bodo/ Glimt dhe shkon me një avantazh prej dy golash në transfertën norvegjeze. Të dyja skuadrat e kanë të sigurt përfundimin në pjesën e poshtme të klasifikimit të Premier Ligës, me Mançester Junajtidin aktualisht në vendin e 15-të dhe Totenhemin në të 16-tin.
I pyetur nga “BeIN Sports” nëse është e drejtë që fituesit e Ligës së Europës të kualifikohen direkt në Ligën e Kampioneve në sezonin pasardhës, ish-trajneri i Arsenalit u përgjigj: “Jo, ata duhet të kualifikohen automatikisht sërish në Ligën e Europës, por jo domosdoshmërisht në Ligën e Kampioneve. Sidomos kur je në Premier Ligë, ku tashmë pesë skuadra kualifikohen në Champions. Mendoj se është diçka për të cilën UEFA duhet të mendojë dhe ta rishikojë. Nga ana tjetër, njerëzit do të të thonë se, për ta mbajtur Ligën e Europës një kompeticion të fokusuar, interesant dhe me motivim, duhet të japësh atë shpërblim (kualifikimin në Ligën e Kampioneve)”.
RREGULLI – UEFA e vendosi këtë rregull qysh nga viti 2014, që fituesit e Ligës së Europës të siguronin pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve edicionin e ardhshëm. Fituesit e mëparshëm që kanë përfituar nga kjo rregullore, përfshijnë Seviljen (që përfundoi e 12- ta në La Liga kur fitoi turneun europian në vitin 2023) dhe Aintrahtin e Frankfurtit (që përfundoi i 11-ti në Bundesligë kur fitoi Ligën e Europës në vitin 2022).
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL