Barcelona pret nesër në mbrëmje në “Montjuïc”, vizitën e Dortmundit në ndeshjen e vajtjes në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.Kjo nuk do të jetë hera e parë që dy klubet përballen mes tyre në këtë edicion në Champions. Ato u përballën me njëra-tjetrën dhjetorin e kaluar në ndeshjen e gjashtë të fazës së grupeve të Champions dhe kjo është njëra arsye që njihen mirë. Arsyeja tjetër ka të bëjë me trajnerët përkatës. Sepse Flik (Barcelona) dhe Niko Kovaç (Dortmundi) janë miq dhe ish-shokë skuadre. Ata kanë një të kaluar të përbashkët të afërt.
Ata i lidh Bajerni i Mynihut. Ndonëse miq të mirë, ata kanë dhe diferenca. Ajo është në rezultate nga ku mund të theksohet se “çiraku” Flik e ka kaluar mësuesin e tij Niko Kovaç. Ish-mesfushori kroat, 53 vjeç, mori frenat e Bajernit të Mynihut në korrik 2018. Sezoni i tij i parë, 2018-2019, ishte shumë i suksesshëm: fitoi Bundesligën, Superkupën e Gjermanisë dhe Kupën e këtij vendi me një skuadër që, ndër të tjera, përfshinte emra si Levandovski, Gnabri, Humels, Koman, Kimish, Noier, Alkantara… Një vit më pas, trajneri aktual i Dortmundit, i cili më parë kishte drejtuar Eintrahtin e Frankfurtit dhe kombëtaren e vendit të tij, kërkoi që Hansi Flik t’i bashkohej stafit të tij teknik.
Trajneri aktual i Barcelonës asokohe ishte i papunë, pasi kishte mbyllur eksperiencën e vet si drejtor i përgjithshëm i Hofenhajmit. Të dy projektuan një Bajern që duhej të vazhdonte në rrugën e tij drejt trofeve. Por në nëntor 2019, pas një disfate të dhimbshme (5-1) kundër Frankfurtit, bordi drejtues i bavarezëve shkarkoi trajnerin Kovaç, pavarësisht suksesit të tij sezonin e kaluar. Ndërkohë që Bajerni në sezonin 2019-2020 ishte në vendin e tretë, kur ishin luajtur vetëm 10 ndeshje. Kovaç dhe Flik qëndruan së bashku në detyrë te Bajerni për vetëm 16 ndeshje.
6 TROFETË E FLIK – Pas shkarkimit të kroatit, bordi i Bajernit vendosi të vinte bast, duke ia besuar drejtimin e ekipit pikërisht asistentit të kroatit. Flik u emërua trajneri kryesor. Trajneri gjerman arriti të ngrinte lart Bajernin, duke i shpallur sërish kampionë në një sezon të paharrueshëm. Në sezonin 2019- ’20, bavarezët fituan Ligën e Kampionëve, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Dhe në sezonin 2020-‘21 ata fituan “Botërorin e Klubeve”, Superkupën e Evropës dhe Superkupën e Gjermanisë (ata arritën gjashtëshen e titujve).
Pas kësaj faze triumfuese, e cila u mbyll në verën e vitit 2021 pas 85 ndeshjesh, trajneri aktual i Barçës mori drejtimin e kombëtares gjermane, të cilën e drejtoi në 25 ndeshje, deri në shtator të 2023. Pas kësaj eksperience, ai ishte pa ekip, duke u përgatitur, për thirrjen e Joan Laportës verën e kaluar te Barcelona. Kovaç, nga ana e tij, nënshkroi në verën e vitit 2020 për Monakon dhe më pas për Volfsburgun.
Në shkurt të këtij viti, ai iu bashkua Dortmundit që kishte shkarkuar Nuri Shahin Kroati ka drejtuar Dortmundin në 12 ndeshje, me një bilanc prej gjashtë fitoresh, dy barazime dhe katër humbje. Këtë të mërkurë, në “Montjuïc”, dy miqtë dhe ishkolegët do të takohen sërish. “Jam i lumtur. Është e bukur dhe emocionuese sepse ne punojmë së bashku, ai ishte ndihmësi im dhe tani do të garojmë kundër njëri-tjetrit. Barcelona është një klub i madh, një ekip i madh, me lojtarë fantastikë”, tha Kovaç kur u konfirmua se do të përballet me Flik në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL