Saturday, 25. April 2026
Sport

Islam Dudaev, nënkampion Europe

GS 25/04/2026 2 Min. Lesezeit

Islam Dudaev është Nënkampion Europe në mundjen e lirë në peshën deri në 65 kilogram. Përtej shpresës për medaljen e artë, apo dhe përtej pranisë së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në sallën olimpike “Feti Borova”, Dudaev nuk ka mundur ta përballojë Magomedov nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes, që fitoi me superioritet pikësh, 10-0.

E ndërkohë Shqipëria ka dhe një shans për medaljen e artë në Kampionatin Europian të të rriturve, sepse Zelimkan Abakarov është kualifikuar për në finalen e peshës deri në 61 kilogram, teksa mundi në gjysmëfinale Novruzov, 14-3.

Medaljet e tjera të ditës së parafundit të Kampionatit Europian të të rriturve në mundjen e lirë ishin për Bazarganov të Azerbajxhanit në peshën 57 kilogram, Baev nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes në peshën deri në 70 kilogram, Usmanov nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes në peshën deri në 79 kilogram dhe Sadulaev në peshën deri në 97 kilogram, gjithnjë nën siglën e Federatës Botërore të Mundjes.

Europiani i Mundjes përfundon të dielën dhe i gjithë aktiviteti ka ardhur në transmetim të drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Teilen: