Islam Makhachev vazhdon të shkruajë historinë në UFC. Kampioni i kategorisë welterweight mposhti Ian Machado Garry me vendim unanim në duelin kryesor të UFC 330, duke regjistruar fitoren e 17-të radhazi dhe duke vendosur një rekord të ri në organizatën më të madhe të arteve marciale të përziera.
Rusi triumfoi me rezultatet 49-46, 49-46 dhe 48-47 pas pesë raundeve të luftës, duke mbrojtur me sukses titullin e botës në peshën 77 kilogramë.
Edhe pse përfundoi me shenja të dukshme në fytyrë, përfshirë një mavijosje të madhe në faqen e majtë dhe dëmtime në hundë, faqe e ballë, Makhachev arriti ta kontrollojë duelin në momentet më të rëndësishme.
Kampioni pati mundësinë ta mbyllte përballjen që në raundin e dytë, kur një goditje e fuqishme me këmbë në kokë e rrëzoi Machado Garryn. Makhachev u hodh menjëherë në sulm me një seri goditjesh, por irlandezi arriti të rezistojë dhe ta përfundojë raundin.
Machado Garry reagoi në raundin e tretë, të cilin e fitoi në të trija kartelat e gjyqtarëve. Ai pati gjithashtu një paraqitje të mirë në raundin e pestë, ku regjistroi shtatë goditje domethënëse, ndërsa Makhachev nuk realizoi asnjë të tillë.
Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për t’ia mohuar fitoren kampionit.
Me këtë sukses, Makhachev përmirësoi rekordin e tij në 29 fitore dhe një humbje, ndërsa arriti në 17 fitore radhazi në UFC. Kështu, ai la pas rekordin e legjendës Anderson Silva, i cili kishte regjistruar 16 fitore radhazi në organizatë.
Makhachev nuk ka humbur që nga viti 2015 dhe tashmë konsiderohet një nga luftëtarët më të suksesshëm të gjeneratës së tij.
“Ai ma vështirësoi shumë luftën, por unë e dëshmoj këtë në çdo përballje”, deklaroi Makhachev pas duelit.
Në anën tjetër, Machado Garry e pranoi humbjen pa justifikime, duke vlerësuar paraqitjen e kundërshtarit.
“Besova me gjithë zemër dhe shpirt se isha më i mirë se ai sonte, por ai fitoi. Nuk kam ankesa dhe as justifikime”, tha irlandezi.
Makhachev, i cili më parë ka dominuar edhe kategorinë lightweight, vazhdon të konsolidojë statusin e një prej emrave më të mëdhenj të MMA-së, ndërsa rekordi i 17 fitoreve radhazi në UFC i jep një tjetër kapitull historik karrierës së tij.