Monday, 13. April 2026
Sport

Ismaili ndez derbin e Torinos, Juventusi pas mbrojtësit të kombëtares

GS 06/11/2025 2 Min. Lesezeit

Ardian Ismajli është në qendër të vëmendjes në kampionatin italian. Qendërmbrojtësi i Kombëtares u bashkua në merkaton e verës me Torinon, duke lënë Empolin që ra në Serinë B.

Në verë, interesi për shërbimet e Ismajlit ishte i lartë, teksa mbrojtësi ishte edhe në radarët e Napolit e Lazios. ndërkohë, në mediat italiane ka dalë një lajm i bujshëm. Juventusi ka kërkuar Ismajlin në merkaton e dimrit të shkuar, aty ku Giuntoli e donte me çdo kusht në skuadrën bardhezi por klubi i Empolit nuk lejoi transferimin.

Mbrojtësi brazilian i Juventusit, Bremer dëmtohej asokohe dhe Ismajli shihej si ideali për ta zëvendësuar por transferimi dështoi në momentet e fundit, ndërkohë që në verë u transferua te Torino, skuadra tjetër e qytetit duke krijuar një derbi me Juventusin. Por, interesi duket se nuk ka përfunduar.

Mediat italiane raportojnë se Juventusi ka ende interes për mbrojtësin e Shqipërisë dhe pritet që të studiojë edhe mundësinë e transferimit në merkaton e verës ose ndoshta edhe në janar. Spalletti që u emërua trajner i Juventusit, ka kërkuar përforcime në çdo repart, sidomos në mbrojtje pasi bardhezinjtë po pësojnë shumë gola. Me fanellën e Torinos, Ismajli ka qenë ndër më të dalluarit në fushë në ndeshjet e zhvilluara pavarësisht se vuajti edhe një dëmtim.

Teilen: