Trajneri, Ismet Munishi i ftuar në ‘Blic Interview’ prodhim i ‘GazetaBlic’ mes shumë temave ka folur edhe për dy nga lojtarët më të mirë kosovar.
Edon Zhegrova dhe Granit Xhaka veçohen nga Munishi si dy nga lojtarët me sukeset më të mëdha individuale në këtë vit teksa Xhaka ndihmoi skuadrën gjermane, Bayer Leverkusen të fitoi titullin e parë të Bundesligas në histori të klubit.
Munishi thotë se komunikon me lojtarët duke rrëfyer edhe një episod ku ai ka përkrahur Zhegrovën pas përplasjes së tij me trajnerin edhe FFK-në.
“Kam qejf kur vijnë lojtarët mi taku, me bisedu, sepse janë lojtarë që kanë jashtëzakonisht shumë fansa, njerëzit i lodhin nonstop, e di atë pjesë prej meje kur kam qenë futbollist, duhet të jesh më i qetë – kam qejf kur takohem me ta të diksutojë vështirësitë dhe sukseset. Kam komuniku me Edon Zhegrovën në momentet kur pati krisje me trajnerin dhe me FFK, aty kam komuniku, i kam dhënë përkrahje, është kënaqësi me pas futbollist si ai”, tha fillimisht Munishi.
Lavdatat e tij për Xhakën nuk ndalen teksa thotë se reprezantuesi zviceran ka bërë krenar çdo shqiptar me arritjet e tij.
“Xhaka e ka bo sezonin më të mirë në karrierë, i ka dhënë të gjitha vulat si futbollist si karakter, si lider i skuadrës, pa të s’kishte qenë i mundur suksesi i Leverkusenit, i ka dhënë një dorë të madhe një trajneri të ri, ka qenë lider i vërtetë, pa Xhakën as për së afërmi nuk kishte me qenë loja e Leverkusenit si me Xhakën, i dëshiroj suksese tash me Zvicrën në kampionat dhe të lumtë ne që e kemi. Jam tepër krenar që e kemi, sepse është shembull. Rruga e tij, suksesi i tij s’ka qenë e lehtë dhe duke i kalu të gjitha këto, është bë një Granit Xhaka që ne krenohemi me të”, përfundoi ai.
/GazetaBlic