Këtë stadium hungarez e krahasuan me një çmendinë. Kështu shkruajtën gazetat sportive në Apenine pasi Italia arriti një fitore për të shkulur flokët, 5-4 ndaj Izraelit.
U luajt në terren asnjanës, edhe pse sfida cilësohej teknikisht në fushën izraelite, dhe padyshim që do të mbetet në histori. Katër herë kampionët e rruzullit u gjendën dy herë në humbje, falë autogolit të Lokatelit në 16’, dhe rrjetës nga Perec në 52’.
Barazimet fillestare u arritën falë sulmuesit Kean që shënoi për 1-1 në 40’, dhe për 2-2 në 54’. Politano e Raspadori u duk se siguruan fitoren e kaltërt me shifrat 3-1 deri në 81’, por mbrojtja futi shumë ujë, dhe Izraeli barazoi.
Sërish Perec, dhe sërish një autogol, këtë radhë nga Bastoni në 87’. Për fat, apo për shkak karakteri, Sandro Tonali siguroi fitoren në minutën e parë shtesë.
Të Kaltrit, që e nisën shumë keq fushatën eliminatore për Kupën e Botës, kanë reaguar tashmë sipas karakterit të trajnerit Xhenaro Gatuzo, me dy fitore në pak ditë, duke qenë në vend të dytë.
“La Gazeta delo Sport” I bie drejt: “Itali e çmendur! Mundet 5-4 Izraeli në eliminatoret e Botërorit! Kean super, mbrojtje e tmerrshme, por reaguam!
“Një çmendinë, – shkruan edhe “Il Korriere delo Sport”, – gara për Botërorin, në Debrecen tronditje të mëdha dhe vend i dytë! Një 5-4 i pabesueshëm, Gatuzo mund edhe Izraelin!”
Të Kaltrit janë në vendin e dytë në grupin I, me 9 pikë në 4 ndeshje, po aq sa Izraeli në pesë duele, ndërsa Norvegjia kryeson me 12 pikë të plota.