Italia ka arritur një fitore të pastër 3-0 ndaj Izraelit, në ndeshjen e Grupit I të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, duke siguruar matematikisht një vend në fazën “play-off”.
Heroi i mbrëmjes në Udine ishte Mateo Retegui, autor i dy golave që thyen rezistencën e skuadrës së Ben Shimon. Sulmuesi italian shënoi fillimisht nga penalltia në minutat shtesë të pjesës së parë, ndërsa në fraksionin e dytë realizoi një gol spektakolar me një goditje të harkuar në trekëndësh, duke vulosur praktikisht fitoren.
Në fund, Gianluca Mancini shtoi edhe golin e tretë, duke u dhënë “azzurrëve” një fitore të merituar dhe moral të lartë për vazhdimin e rrugëtimit.
Në ndeshjet e ardhshme, ekipi i Gattusos do të përballet me Moldavinë dhe Norvegjinë. Edhe pse mund të arrijë norvegjezët me pikë duke i mposhtur në ‘San Siro’, diferenca e golaverazhit e bën të pamundur kualifikimin direkt në Botëror.
Kështu, shpresat e Italisë për t’u rikthyer në Kupën e Botës pas 12 vitesh mungesë do të varen sërish nga ndeshjet “play-off”.
Siguron play-off-in edhe Turqia, falë fitores 4-1 me Gjeorgjinë, ndërsa Spanja vijon rrugëtimin perfekt në Grupin E, duke mposhtur 4-0 Bullgarinë.


