Trajneri i Italisë, Rino Gattuso, foli sot përpara sfidës së rëndësishme kundër Izraelit që do të luhet nesër në mbrëmje, në Udine, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Objektivi është i qartë: të fitohen tri pikët për të siguruar vendin në fazën “playoff”.
“Duhet të fitojmë, sepse janë dy muaj që e dimë se nuk mund të gabojmë më,” – u shpreh Gattuso për Sky Sport. “Jemi të lumtur që ka pasur një armëpushim dhe që njerëzit po kthehen në tokën e tyre; është emocionuese ta shohësh këtë. Nesër do të kemi ndeshjen, jashtë do të ketë njerëz që do të kritikojnë, por në stadium do të jenë edhe 10-11 mijë tifozë që ne duhet t’i tërheqim me lojën tonë.”
Sa i përket sulmuesit të ri Pio Esposito, tekniku i “Azzurrëve” u shpreh: “Është një djalë i thjeshtë, që flet pak, por punon shumë. Vrapon si një mesfushor dhe jep gjithçka për ekipin. Ende nuk ka luajtur 70-75 minuta të plota, por do të shohim. Nuk ka rrezik që t’i hipë mendja.”
Gattuso foli edhe për ndjenjën e veçantë që i jep drejtimi i Kombëtares: “Për mua është një ëndërr që e kam pasur që në fëmijëri. E jetoj këtë eksperiencë me qetësi, sepse ndiej se jam në shtëpi. Kam veshur këtë fanellë për 11 vjet dhe shumë gjëra më vijnë natyrshëm.”
Në fund, ai u ndal edhe te fjalët e ish-trajnerit Luciano Spalletti: “I kam vlerësuar shumë. Doja ta telefonoja për ta falënderuar, por nuk e bëra që të mos i bezdisja. Ai kur flet, nuk e bën kurrë kot, çdo gjë që thotë ka peshë.”