Sunday, 26. April 2026
Sport

Italia–Izraeli, masa të rrepta sigurie në Udine: ndeshja shpallet ‘me rrezik të lartë’

GS 12/10/2025 2 Min. Lesezeit

Qyteti i Udines është vënë nën masa të jashtëzakonshme sigurie në prag të ndeshjes Itali–Izrael, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Përballja, që do të zhvillohet të martën, në ‘Bluenergy Stadium’, është vlerësuar si një ngjarje me nivel rreziku maksimal (grada 4) nga Observatori Kombëtar i Aktiviteteve Sportive italiane.

Autoritetet kanë shpallur një zonë të kuqe rreth stadiumit, ndërsa po zbatohet një plan i gjerë antiterrorizëm, për shkak të tensioneve politike dhe protestave të planifikuara në qytet. Një manifestim pro Palestinës, i autorizuar për të martën pasdite, pritet të mbledhë deri në 10 mijë persona, duke shtuar shqetësimin për mundësinë e infiltrimeve nga grupe radikale apo elementë të dhunshëm.

Sipas urdhrit të prefektit Domenico Lione, marshimi do të kalojë përmes qendrës historike të Udines, ndërsa në afërsi të stadiumit do të vendosen barriera betoni, metal detektorë dhe barriera sigurie për kontroll të plotë të tifozëve. Brenda impiantit, ku janë parashikuar rreth 8.000 spektatorë (përfshirë 51 tifozë izraelitë), do të patrullojnë njësi antiterrorizmi, qen nuhatës dhe dronë mbikëqyrës.

Jashtë stadiumit, gjatë gjithë ditës së martë, do të ndalohet shitja dhe konsumimi i ushqimeve e pijeve në ambalazhe prej xhami, qeramike apo metali, për të shmangur përdorimin e tyre si mjete të rrezikshme.

Ndërkohë, në rrugët kryesore të qytetit do të ketë një prani të shtuar të forcave të rendit, përfshirë policinë, karabinierët dhe gardën financiare, me qëllim parandalimin e çdo incidenti. Për Italinë, përveç rëndësisë sportive, kjo ndeshje është një provë sigurie kombëtare.

Teilen: