Skuadra e çiklizmit Israel Premier Tech rrezikon të humbasë sponsorin e saj kryesor të biçikletave, pasi kompania Factor ka vendosur presion mbi pronarin Sylvan Adams që të heqë emrin dhe flamurin izraelit nga ekipi.
“Pa ndryshim të emrit, pa ndryshim të flamurit, nuk do të vazhdojmë”, deklaroi themeluesi i Factor, Rob Gitelis, për Cyclingnews. Vendimi vjen pas protestave të shumta në ‘La Vuelta a España’, ku tifozët denoncuan gjenocidin e kryer nga Izraeli ndaj Palestinës dhe kërkuan përjashtimin e skuadrës nga sporti, njësoj siç ndodhi me Rusinë pas ofensivës në Ukrainë.
Factor është takuar me Adams për të diskutuar vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe ka kërkuar ndryshime urgjente në identitetin e skuadrës. Pronari pranoi të hiqte emrin, por këmbënguli për mbajtjen e flamurit. Për momentin, është arritur një marrëveshje e përkohshme, ndërsa emri dhe pamja e re pritet të bëhen publike në vitin 2026.
Sipas rregullave të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), deri më 15 tetor duhet të përfundojë regjistrimi i kombësisë së skuadrave, bazuar në origjinën e sponsorit kryesor apo të agjentit pagues. “Nuk është më çështje e të qenit dakord apo jo. Marka jonë është bërë shumë e kontestuar dhe unë kam përgjegjësi ndaj punonjësve dhe aksionarëve për ta mbajtur kompaninë në rritje. Nuk mund të shtojmë një nivel të ri konflikti”, theksoi Gitelis.
Los manifestantes propalestina ocupan parte de la calle de Gran Vía, recorrido que forma parte de La Vuelta a España y por el que se espera que pasen los ciclistas.https://t.co/Xk35b2tIUZ pic.twitter.com/Zva1TgZOrf
— RTVE Noticias (@rtvenoticias) September 14, 2025
Protestat në ‘La Vuelta’ kanë qenë aq të forta, saqë pesë etapa u detyruan të shkurtoheshin për arsye sigurie, pasi çiklistët rrezikuan edhe rrëzime gjatë demonstratave. Për të shmangur tensionet, ekipi ka hequr emrin “Israel” nga autobusi, makinat dhe uniformat e garuesve.
Situata bëhet edhe më e rëndë për shkak të realitetit në terren: sipas OKB-së, mbi 60.000 palestinezë kanë humbur jetën në Gaza, përfshirë 20.000 fëmijë, jo vetëm nga bombardimet, por edhe nga uria e shkaktuar prej bllokadave. Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar tashmë si gjenocid.
Edhe pse në ‘Tour de France’ të fundit Premier Tech kishte deklaruar vazhdimin e marrëveshjes me Factor, Gitelis sqaron se nuk ekzistonte kontratë e firmosur për vitin 2026 e më tej: “Ishte vetëm një angazhim verbal, por situata është përkeqësuar shumë dhe nuk mund ta mbajmë më këtë marrëveshje”.
Sponsori shton se ndryshimi i plotë i markës së skuadrës nuk është proces i lehtë: “Kjo nënkupton transformim total të identitetit dhe transferim të kontratave të çiklistëve në një tjetër vend. Kemi qenë politikisht të ndjeshëm për më shumë se dy vjet dhe e kemi pasur të vështirë të përdorim skuadrën siç dëshironim. Për këtë arsye, festojmë fitoret e garuesve individualë, jo të ekipit”, tha Gitelis.