Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i Federatës së Basketbollit të Kosovës ku edhe do të zgjedhet kryetari i ri i saj do të mbahet më 30 gusht.
Tashmë edhe zyrtarisht, kandidati i vetëm për këtë pozitë është kryetari aktual Arben Fetahu.
Ai ka thënë se nominimi i tij është bërë nga të gjithë anëtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe se kjo është rezultat i punës së mirë që është bërë gjatë këtyre katër viteve.
“Është e vërtetë që unë jam i vetmi i nominuar dhe ajo që më jep kënaqësi të veçantë është fakti që jam i nominuar prej të gjithë anëtarëve të Federatës së Basketbollit të Kosovës pa përjashtim. Besoj që ky është një testament i asaj që kemi bërë në këto vitet e fundit, punës së madhe që është bërë, jo prej meje por prej të gjithë komunitetit…Kjo natyrisht që nuk më jep qetësi dhe nuk më bënë të jem në një pozitë më komfore por do të më shtyjë që të veproj edhe me më shumë përgjegjësi për ta arsyetuar besimin që ma kanë dhënë”.
Emri i tij si i vetëm për këtë pozitë është parë edhe si imazh jo i mirë dhe jo demokratik, por Fetahu ka thënë se brenda kësaj federate nuk ka aspak autokraci sepse federata ka sistem të hapur të kandidimit.
“Nuk është çështje diktati apo nuk është çështje e tiranisë apo e mungesës së demokracisë, është thjeshtë fakti që kemi punuar jashtëzakonisht shumë. Nëse e marrim dhe bëjmë një vlerësim të asaj se ku ka qenë basketbolli në vitin 2018 e ku është në vitin 2024, besoj që edhe ai publiku i cili mund të mos i kuptojë të gjitha dinamikat e sportit, e kupton se çfarë ngritje të madhe kemi pasur…Ne nuk e kemi sistemin e mbyllur të kandidimit, jo sikur disa federata të tjera ku votohet në baza të ndryshme me lidhje rajonale apo shoqata të ndryshme, ne e kemi sistemin e hapur në bazë të së cilit secili anëtar i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka të drejtë ta bëjë një nominim”.
Duke pritur që të konfirmohet sërish në krye të FBK-së, Fetahu thotë se në mandatin e ri do të luftojë fuqishëm në përmirësimin e infrastrukturës.
Përtej kuvendit, FBK është edhe në procesin e licencimit të klubeve, gjë për të cilën Fetahu thotë se është duke përfunduar dhe se shumica e klubeve e kanë kaluar këtë proces.
Në rast të moslicencimit, Fetahut thotë se klubet rrezikojnë suspendimin nga garat.