“Legjionarët” e Kombëtares sonë do të zhvillojnë brenda 7 ditëve, dy sfidat “finale”, siç i quan edhe tekniku Sylvinho, të fazës kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ndaj Moldavisë, më 17 nëntor, në Çisinau dhe ndaj Ishujve Faroe, më datë 20 nëntor, në mitikun “Air Albania”, ku vetëm 1 pikë, nga këto 2 sfida mjafton që “kuqezinjtë” tanë të prejnë një biletë drejt Gjermanisë, aty ku do të zhvillohet dhe faza finale e kompeticionit.
Nga konferenca për shtyp disa fjalë për këto 2 përballje i tha edhe anësori i mbrojtjes së Kombëtares, Elseid Hysaj, i cili deklaroi se Shkodrani deklaroi se skuadra vlerëson maksimalisht kundërshtarët dhe do të kërkojë maksimumin në të dy ndeshjet, për t’u dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive.
Më tej Hysaj u pyet nga gazetarët e pranishëm, nëse ngjan kjo sfidë me atë ndaj Armenisë, në kualifikueset e Euro 2016, sfidë e cila na çoi në fazën e grupeve të Evropian të Francës.
Konferenca për shtyp e Elseid Hysajt:
Sa të rëndësishme janë këto dy takime për Kombëtaren, që është vetëm një pikë larg kualifikimit zyrtarisht në Gjermani 2024?
Janë dy finale shumë të mëdha për ne, por duhet të mendojmë për Moldavinë, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe kundërshtari po kalon një formë shumë të mirë. Ne e dimë mirë që do të shkojmë atje për të mos humbur, pasi edhe një pikë na nevojitet për t’u kualifikuar, por do të ishte edhe më bukur po të fitonim dhe të arrinim rekordin e pikëve.
Kualifikimi mund të vendoset në Moldavi. A ngjan kjo ndeshje me atë ndaj Armenisë në 2015-ën?
Kanë lidhje, por si ndeshje duket më e thjeshtë, pasi na duhet vetëm një pikë në dy takime. Është një ndeshje me peshë, pasi nëse fitojmë, do të kthehemi të kualifikuar dhe të bëjmë festë. Nëse humbim, do të na shtohet shumë presioni. Jemi të përgatitur për të shkuar dhe fituar, pasi duam të kthehemi të gëzuar dhe të festojmë me tifozët.
Pas rikthimit në mbrojtjen me 4 nuk po merrni më as kritika…
Kritika kam pasur gjithë jetën time, por nuk është problem, pasi rëndësi ka të arrijmë rezultatet që kemi si objektiv. Duam ët shkojmë në Gjermani, por kritikat janë pjesë e futbollit dhe nuk përbëjnë problem.
E keni përjetuar njëherë ndjesinë e Europianit në 2016-ën. Si është të luash në atë kompeticion?
Është një ndjesi e bukur, që nuk mund ta harrosh dhe shpresoj që t’i shijojnë edhe çunat e tjerë, por t’i përsërisim edhe unë e Berisha, apo ndonjë tjetër.
Gjithë kjo ecuri e mirë e kombëtares ju motivon për të bërë më mirë, apo ju shton presionin në prag të këtyre dy sfidave?
Ne duhet të jemi të rritur në mentalitet dhe nuk duhet ta shohim si presion, por si një mundësi për t’u shfrytëzuar. Do të jetë e vështirë, por ne punojmë për këtë ditë dhe për ndeshje të tilla.
Skuadra po bën shumë mirë në mbrojtje, pasi ka pësuar vetëm tre gola. A është kjo mbrojtja më e mirë që ka pasur kombëtarja?
Ne e kemi pasur gjithmonë mbrojtjen e fortë, por statistikat flasin vetë. Nëse shifrat thonë që kjo është më e mira, atëherë e konfirmoj edhe unë.
Çfarë vlerësoni më tepër te Moldavia, që është kthyer në një kockë të fortë?
Është një skuadër që nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi. Janë një skuadër që rri mbrapa dhe del shpejt në kundërsulm për të gjetur golin. Ne e kemi përgatitur kështu, që të shfrytëzojmë mundësitë tona dhe të gjejmë golin.
Çfarë note do t’u jepnit këtyre kualifikueseve?
Notën do ta vendos pas këtyre dy ndeshjeve, kur të ketë përfunduar edicioni eliminator /i.m /abcnews.al