Sulmuesi Ahmed Januzi është shpallur lojtari më i mirë për xhiron e gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll, e cila u mbyll të dielën.
FFK-ja, ka bërë të ditur të hënën se Januzi është nderuar me çmimin “Ylli i Javës”, i cili ndahet për futbollistin me paraqitjen më të mirë pas përfundimit të çdo xhiroje.
Komisioni i Veteranëve të futbollit vendosi që çmimi “Ylli i Javës” t’i ndahet Januzit pasi sulmuesi ia siguroi skuadrës së Llapit fitoren në ndeshjen në udhëtim kundër Ferizajt.
Llapi triumfoi me rezultatin 1:0, ndërsa golin e vetëm në këtë përballje e realizoi pikërisht Januzi.
Pasi mori çmimin, Januzai u shpreh i lumtur që u vlerësua më i miri për xhiron e gjashtë të elitës së futbollit kosovar.
Ai duelin me Ferizajn e vlerësoi si tejet të vështirë dhe shtoi se kjo fitore do ta motivoj Llapin për dy ndeshjet e ardhshme, të cilat i luan gjatë kësaj jave.
Llapi, të premten përballet me Suharekën në Podujevë, ndërsa të dielën luan kundër skuadrës së Ballkanit, po ashtu në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Aktualisht, Llapi është i pesti në tabelë me 10 pikë të mbledhura, sa i kanë edhe Prishtina e Ballkani që janë në pozitat 3 dhe 4.
Tabelës i prinë Suhareka me 13 pikë të mbledhura sa i ka edhe Malisheva, skuadër kjo që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.