Monday, 19. January 2026
Sport

Jashari me fjalë të mëdha për Modricin: Të luash me të është një dhuratë

GS 19/01/2026 2 Min. Lesezeit

Milan arriti një fitore të rëndësishme ndaj Lecces në San Siro, duke thyer rezistencën e fortë të skuadrës mysafire, e cila u mbajt në lojë për një kohë të gjatë falë një performance të jashtëzakonshme të portierit Falcone.

Rossonerët dominuan ndeshjen dhe më në fund siguruan tre pikë vendimtare për vazhdimësinë e sezonit falë fitores 1-0 me golin e Niclas Fullkrug.

Pas përfundimit të takimit, mesfushori shqiptar Ardon Jashari foli për DAZN, duke u ndalur si te rezultati, ashtu edhe te paraqitja e tij personale. Mesfushori u shpreh i kënaqur për besimin e trajnerit dhe mbi të gjitha për fitoren e ekipit.

“Le të vazhdojmë kështu. Jam i lumtur për Fullkrugun. Jam i kënaqur që e nisa ndeshjen si titullar, por gjëja më e rëndësishme janë tre pikët e ekipit”, u shpreh Jashari.

Ai komentoi edhe rolin e tij në fushë, duke theksuar fleksibilitetin dhe gatishmërinë për të zbatuar kërkesat taktike të trajnerit.

“Unë bëj atë që më kërkon trajneri. Është e rëndësishme që shokët e ekipit të kuptojnë karakteristikat e mia. Më kërkoi të luaja si numër gjashtë dhe ky është një mesazh që duhet të përçohet në të gjithë ekipin,” shtoi ai.

Jashari nuk i kurseu fjalët e mira as për bashkëpunimin me Luka Modric, i cili është një nga figurat kyçe të mesfushës së Milanit.

“Të luash me të është një dhuratë. Ai është një person i jashtëzakonshëm jashtë fushës dhe një lojtar i pabesueshëm. Po e shijoj çdo moment dhe shpresoj të luaj më shumë minuta përkrah tij”, tha mesfushori.

Pas kësaj fitoreje, Milani tashmë përqendrohet te sfida e radhës në Olimpico kundër Romës, një test i madh për ambiciet e kuqezinjve.

Teilen: