Kosova e mbylli me fitore fazën e grupeve të ligës së kombeve duke mundur në shtëpi Lituaninë me rezultatin 1 me 0.
Deciziv një gol i Jasharit që në nisje të takimit ku protagonist ishte veç autorit të golit edhe sulmuesi Muriqi.
Kapiteni i dardanëve shërbeu bukur për Jasharin i cili me të majtën nuk gaboi.
Kosova administroi mirë ndeshjen, por një ndërhyrje e rëndë e njeriut që kaloi në avantazh dardanët, Muharrem Jashari kundrejt Sirvis bëri që gjyqtari edhe pas rishikimit të episodit në sistemin Var t’i drejtonte kartonin e kuq mesfushorit vendas.
Episodi ndryshoi dinamikën e ndeshjes në pjesën e dytë.
Ndonëse fillimisht Kosova shkoi shumë afër dyfishimit me anë të Muriqit, në vazhdim përfaqësuesja e drejtuar nga austriaku Franko Foda ishte me fat pasi lituanezët i shkuan shumë afër golit në disa raste. Slivkas dhe Girdvainis u ndalën nga portieri Aron Muqiç, ndërsa Zhinetis dhe Milasiues goditën shtyllën në dy tentativa nga distanca.
Në fund Kosova festoi fitoren e 4 në gjashtë ndeshje të ligës së kombeve dhe është në pritje të vendimit të Uefa-s për ndeshjen me Rumaninë ku dardanët u tërhoqën nga fusha në fund kur ndeshja ishte 0 me 0.
Edhe në rastin më të keq që UEFA mund ti penalizojë me një humbje në tavolinë, ata do të luanin në Play Off si vendi i dytë për të provuar kalimin në ligën B.
Birligea dhe Razvan Marin i dhanë avantazhin ë dyfishte Rumanisë në pjesën e parë mirëpo Pitas shkurtoi për Qipron në nisje të pjesës së dytë. Dalja me të kuq e Laifis në minutën e 77 ia bëri më të lehtë rumunëve të cilët mbyllën llogaritë në fund duke shënuar sërish me Razvan Marin dhe Coman.