Superliga e Kosovës në futboll vazhdon nesër me ndeshjet në orar.
Në kuadër të xhiros së 35-të në Superligën e Kosovës do të zhvillohen ndeshje tejet interesante.
Teksa kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundimin e këtij sezoni, klubet vazhdojnë të luftojnë për objektivat e tyre.
Ballkani, kampioni në fuqi nuk do të ketë punë të vështirë, së paku në letër.
Suharekasit përballen me Ferizaj, me këta të fundit që kanë synim mbijetesën.
Të dy ekipet luajnë për fitore, njëra për vendin e parë, kurse tjetra për të siguruar edhe një vit tjetër pjesëmarrjen në futbollin elitar kosovar.
Drita në anën tjetër, ndjekësja e Ballkanit kërkon të rikthehet të fitorja këtë xhiro.
Pas dy barazimeve të njëpasnjëshme fillimisht me kampionin, më pas me rivalin lokal, Gjilanin kërkon këndelljen.
Edhe këtë xhiro do kenë punë të vështirë, pasi kanë përballë Malishevën.
Klubi i Malishevës akoma nuk kanë arritur të sigurojnë mbijetesën, andaj synojnë fitore.
Në rrezik për të mbetur në ligë në një farë forme janë edhe Llapi, pasi janë vetëm pesë pikë larg zonës që të çon në Ligën e parë.
Ata do të kenë punë aspak të lehtë në shtëpi ndaj Gjilanit.
Me gjilanasit që kërkojnë të sigurojnë një vend në garat evropiane.
Synimi i Prishtinës gjithashtu është një biletë për në Evropë dhe do të kenë punë të lehtë këtë xhiro.
Ata luajnë ndaj ekipit që tashmë zyrtarisht ka rënë nga Superliga, Drenica.
Takimi tjetër i rëndësishëm është ai në mes Dukagjinit dhe Trepçës ’89.
Klubi nga Klina janë bërë pretendent për të siguruar një vend në garat evropiane, dhe fitoren do ta kërkojnë nesër ndaj ekipit që lufton për mbijetës.
Të gjitha këto takime zhvillohen në orar të njëjtë, me fillim nga ora 15:00./Lajmi.net/