Luis Rubiales të dielën dha dorëheqjen nga posti i tij si president i Federatës Spanjolle të Futbollit pas disa javësh kritikash të ashpra për puthjen e tij me fituesen e Kupës së Botës për femra, Jennifer Hermoso.
“Sot, njoftova presidentin e përkohshëm në orën 9:30 të pasditës, zotin Pedro Rocha, se kam dhënë dorëheqjen si President i RFEF”, tha Rubiales në një letër të postuar në Twitter, njoftojnë mediat spanjolle, transmeton lajmi.net.
“E kam bërë të ditur gjithashtu se kam dhënë dorëheqjen nga pozita ime në UEFA, në mënyrë që posti im i zëvendëspresidentit të mund të plotësohet”.
Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) konfirmoi se Rubiales kishte paraqitur dorëheqjen e tij si shef i Federatës Spanjolle të Futbollit, si dhe zëvendëspresident i UEFA-s.
“Federata Mbretërore e Futbollit Spanjoll konfirmon se Luis M. Rubiales Béjar ka paraqitur dorëheqjen e tij sonte”, tha RFEF në një deklaratë.
Bordi drejtues i federatës do të shpallë tani zgjedhjet për të gjetur një pasardhës./Lajmi.net/