“Jo” e prerë Arsenalit për Dimarco, Interi bën gati rinovimin “alla Bastoni”
Sirenat nga Premier League, me Arsenalin në krye, nuk e trembin Interin. Drejtuesit e klubit zikaltër kanë vendosur ta blindojnë mbrojtësin e majtë, Federico Dimarco, ndaj dhe kanë refuzuar ofertën e “Topçinjve”.
Nga shkurti, Interi do të fillojë bisedimet për rinovimin e kontratës. Plani është për ta zgjatur kontratën aktuale, me skadencë në 2027-ën, deri në 2029-ën ose 2030-ën. Do të jetë një rinovim me rritje page në 5-5.5 milionë euro në sezon, shifër që do ta barazonte Dimarco me lojtarët e tjerë top të skuadrës, si në rastin e Bastoni.
Për trajnerin Chivu anësori i majtë, aktualisht në kuotën e 4 golave dhe 7 asisteve, është një titullar i paprekshëm. Ka rënë poshtë përfundimisht edhe pista e Manchester United, pas largimit të trajnerit Amorim.
