Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka bërë të ditura disa ndryshime në listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.
Në konferencën për media, Shala ka konfirmuar se për herë të parë me Kombëtaren A do të jenë Lindrit Kamberi, Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi. Për këtë të fundit, ai ka bërë të ditur se ende është në proces kompletimi i dokumentacionit dhe pritet përgjigjja përfundimtare e FIFA-s për të drejtën e përfaqësimit.
“Keni pasur mundësinë ta shihni listën e futbollistëve të publikuar ditën e premte dhe keni pasur mundësinë të shihni se me ne do të jenë për herë të parë tre futbollistë të rinj: Lindrit Kamberi, Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi. Për këtë të fundit, akoma jemi në kompletim të lëndës së tij me dokumente dhe presim përgjigjen, përkatësisht vendimin definitiv të FIFA-s për të drejtën e përfaqësimit, kurse për dy të parët gjithçka tashmë është e ditur”, ka thënë Shala.
Shala ka njoftuar gjithashtu se për shkak të lëndimeve do të mungojnë Amir Matoshi dhe Erblin Osmani, ndërsa në dyshim mbetet edhe Lumbardh Dellova, i cili është lënduar në ndeshjen e fundit me klubin e tij. Ai ka rikujtuar se nga listat paraprake mungojnë edhe Albian Hoxha, i cili është i lënduar për një periudhë më të gjatë, si dhe Vesel Demaku.
“Ndërkaq, nga lista e grumbulluar ka disa ndryshime të vogla. Fatkeqësisht, për shkak të lëndimeve, do të mungojnë nga emrat e publikuar më herët Amir Matoshi dhe Erblin Osmani, kurse mbetet për t’u parë gjendja e Lumbardh Dellovës, i cili po ashtu ka pësuar një lëndim në ndeshjen e tij të fundit me klubin.Lumbardhi i bashkohet ekipit dhe më pas, varësisht nga vendimi i stafit mjekësor dhe situatës së tij fizike, do të shihet nëse do ta vazhdojë grumbullimin apo do të zëvendësohet me ndonjë futbollist tjetër. Ndërkaq, nga listat paraprake tashmë keni pasur mundësi t’i shihni futbollistët që për shkak të lëndimeve mungojnë në këtë grumbullim. Dihet se Albian Hoxha është i lënduar për një kohë më të gjatë, kurse për shkak të lëndimit mungon edhe Vesel Demaku”, tha ai.
Kosova fillimisht do të përballet me Izraelin më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa më 17 nëntor do të luajë kundër Republikës së Irlandës në Dublin.