Bruno Fernandesh është konfirmuar si kapiteni i ri i Mançester Junajtidit vetëm ditën e enjte, ashtu siç ishte paralajmëruar.
Por mesfushori portugez është vetëm një nga gjashtë lojtarët në grupin drejtues të Erik ten Hagut për sezonin e ardhshëm. Dhe një prej tyre është një yll i harruar, i cili nuk ka luajtur asnjë ndeshje të Premier Ligës për “djajtë e kuq”. Fernandesh u njoftua si lideri i ri i skuadrës së 20 herë kampionëve të Anglisë vetëm disa ditë pasi kapitenit Herri Meguajër iu hoq shiriti. Ten Hag vendosi që një ndryshim ishte i nevojshëm, pasi qendërmbrojtësi startoi vetëm tetë ndeshje në kampionat për skuadrën e tij sezonin e kaluar.
Dhe Bruno, i cili mbajti shiritin e kapitenit për pjesën më të madhe të sezonit të shkuar, ishte zgjedhja e natyrshme për të marrë këtë përgjegjësi përfundimisht. Megjithatë, shoku i Kristiano Ronaldos në kombëtare nuk është i vetmi që ndihmon në ekuilibrat e dhomës së zhveshjes në “Old Trafford”. Sipas “Manchester Evening News”, Fernandesh ka pesë bashkëlojtarë që pritet ta ndihmojnë atë që të vendosë standardet brenda skuadrës. Nuk është surprizë që Kasemiro është pjesë e ekipit të liderëve pas një karriere të jashtëzakonshme përpara transferimit të tij në Mançester verën e kaluar.
Braziliani fitoi trofe të panumërta me Realin e Madridit dhe sërish përfundoi duke e gjetur veten si numrin 2 zyrtar i Junajtidit. Një tjetër ish-yll i “los blancos” është gjithashtu në ekipin drejtues që ka zgjedhur tekniku holandez. Rafael Varan, gjithashtu fitoi trofe të shumtë në Spanjë dhe tani është lojtari kryesor i klubit në prapavijë pas skarcimit të Meguajërit. Tre lojtarët e tjerë në grupin drejtues janë lojtarë anglezë: Markus Rashford, i cili sapo ka nënshkruar një kontratë të re 5+1 vite, është një nga njerëzit e besuar të Ten Hagut.
Ai shihet si një lojtar kyç së bashku me mbrojtësin e majtë Ljuk Shou, të cilit gjithashtu iu dorëzua një kontratë e re kohët e fundit. Lojtari i fundit në grupin drejtues nuk është askush tjetër përveç Tom Hitënit. Portieri veteran ka luajtur vetëm tri herë në dy sezone për Junajtidin dhe ende nuk ka debutuar në kampionat. Por pas një karriere të jashtëzakonshme për skuadra si Bërnlej dhe Aston Vila dhe duke qenë vetë një produkt i akademisë së “djajve”, përvoja e 37-vjeçarit ka një rëndësi të madhe për Ten Hagun.
PANORAMASPORT.AL