Skuadra e Borës ka nisur punën për sezonin e ri në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ekipi nga kryeqyteti, tashmë ka bërë edhe përforcimin e parë për sezonin 2026/27.
Bëhet fjalë për basketbollistin vendor, Jon Ismajli, i cili do të jetë pjesë e skuadrës së Borës.
“Jon Ismajli është përforcimi ynë i parë për sezonin e ri 2026/2027. Mirësevjen, Joni!”, thuhet në njoftimin e ekipit nga kryeqyteti.
Ismajli në sezonin aktual, ka luajtur për Vëllaznimin dhe për Sigal Prishtinën. Në pjesën e parë të këtij sezoni, Ismajli ishte i huazuar te Vëllaznimi por në fillim të këtij viti u rikthye te Sigal Prishtina.
Për Borën, ky ishte sezoni i dytë në elitën e basketbollit kosovar dhe më i suksesshmi në histori të klubit.
Pasi sezonin e shkuar mbijetoi në Superligë me anë të “play-outit”, këtë sezon Bora arriti të paraqitet edhe në garat e “play-offit”.
Stinorin e rregullt, Bora e përfundoi në pozitën e tretë kurse në “play-off” e eliminoi Sigal Prishtinën në çerekfinale 2:0, përpara se në gjysmëfinale të eliminohet nga Bashkimi 3:2.