Rafael Varan i dhuroi 3 pikët e para Mançester Junajtidit në ndeshjen përmbyllëse të javës së parë të Premier Ligës mbrëmjen e së hënës, por me sa shumë vuajtje arriti të fitonte skuadra e Erik ten Hagut në premierën e saj në kampionat ndaj Uolvesit. “Ujqërit” e Geri O’Nillit ishin impresionues dhe patën më shumë raste sesa vendësit për të kaluar në epërsi, por kundërsulmeve të tyre u mungoi saktësia, por edhe Andre Onana u tha jo në disa raste.
Edhe fati ishte me Mançesterin kur Mateus Kunja goditi shtyllën në fillim të pjesës së dytë. Portieri kamerunas dhe mesfushori Mejzon Maunt bënë debutimin e tyre në Premier Ligë, me mesfushorin që nuk arriti dot të lërë gjurmë. Ndeshja po shkonte drejt një barazimi pa gola përpara se Aron UanBisaka të gjente qendërmbrojtësin koleg me një krosim dhe Varan shënoi me kokë. Uolvesi rriti presionin në fund, ndërsa VAR-i “fali” Onanën në shtesë pas një ndërhyrjeje që mund të akordohej edhe penallti. Junajtidi fitoi, por mbetet një kantier i hapur për trajnerin e “djajve të kuq”.
TEN HAG – Trajneri Erik ten Hag, duke folur pas ndeshjes për “Sky Sports”, nuk ishte shumë i kënaqur nga prova e parë e skuadrës së tij, por e di që ajo nuk është ende një produkt i përfunduar: “Ne kemi hedhur një themel dhe tani duhet të ngremë stekën. Fjala mirë nuk duhet të na mjaftojë më. Jemi të kënaqur nga transferimet. Maunt është një lojtar që mund të na ndihmojë me golat. Mendoj se Onana mund të luajë shumë stile futbolli. Ai luan mirë me linjën lart të mbrojtjes dhe gjithashtu me një bllok të ulët. Garnaço ishte titullar, sepse sezonin e kaluar u përmirësua shumë. Ai ka potencial të madh. Është një kërcënim në situatat një kundra një. Ai mund ta bëjë diferencën edhe nga pankina, por unë mendoj se ai e meriton mundësinë për ta bërë atë që nga 11-shja e parë”.
PANORAMASPORT.AL