Përballja e shumëpritur mes Juventusit dhe Interit këtë të shtunë do të ketë një risi historike për futbollin italian. Në ‘Allianz Stadium’ do të debutojë ‘Refcam’, një kamera ultra-moderne që u jep tifozëve mundësinë të shohin aksionet nga këndvështrimi i arbitrit.
Lega Serie A, në një njoftim zyrtar, theksoi se është një nga ligat e para evropiane që aplikon këtë teknologji, pas testimeve të suksesshme në Kupën e Botës për Klube të FIFA-s: “Është një ditë historike për evoluimin e spektaklit televiziv dhe inovacionin teknologjik”, thuhet në komunikatë.
“Refcam” është një mikrokamera me rezolucion të lartë, që peshon vetëm 6 gramë dhe vendoset në bazën e mikrofonit të gjyqtarit kryesor. Ajo do të përdoret gjatë nxehjes, në momente specifike të ndeshjes si përgatitja e goditjeve të dënimit, apo për të treguar ripërsëritje spektakolare. Pamjet do të jenë gjithashtu të disponueshme për sistemin VAR, duke shtuar transparencën në vendimet e arbitrave.
Luigi De Siervo, administrator i deleguar i Legës, e cilësoi këtë hap si një revolucion për futbollin italian: “Refcam ofron perspektivën reale të arbitrit, duke e bërë eksperiencën televizive edhe më tërheqëse dhe gjithëpërfshirëse. Është një inovacion që forcon spektaklin e Serisë A dhe e prezanton produktin tonë në nivel global me imazhe unike”.
Derbi i Italisë kështu nuk do të jetë vetëm një duel mes dy gjigantëve të futbollit italian, por edhe një moment historik në rrugën drejt futbollit të së ardhmes.