Përveç Italisë U-21, duket se edhe Juven tusit do i duhet të bëjë pa Fabio Miretin. Mesfushori u largua nga grumbullimi i Shpresave për shkak të problemeve të vazhdueshme me shpinën. Dhimbja e mesit që e preku para dhe pas ndeshjes së kampionatit kundër Kaljarit duket se është në thelb të problemit. Tashmë, Mireti do të kthehet në Torino dhe në ditët në vijim gjendja e tij do të vlerësohet nga stafi mjekësor i “zonjës së vjetër”.
Shpresa e Alegrit është ta ketë të disponueshëm për ndeshjen kundër Interit kur të rifillojë kampionati, sepse mungesa e Miretit do të ishte një tjetër goditje e rëndë. Kjo sepse pasi skuadrës i mungojnë Pogba e Faxholi për arsye të ditura, së fundmi edhe Lokateli ka zbuluar një frakturë të vogël në brinjën e dhjetë, situatë që e detyroi të braktiste grumbullimin e Italisë, e cila luan sot kundër Maqedonisë së Veriut.
SITUATA – Me 4 mesfushorë “jashtë loje”, Juvja e gjen veten me vetëm dy lojtarë roli për ndeshjen kundër Interit. Në fakt, Rabio dhe Mekeni janë të vetmit të disponueshëm të sigurt për supersfidën e 26 nëntorit. Në këto kushte, Alegri do të duhet të shpikë dhe mund të rikthehet te 3-5-2-shi, një modul që do të përfshinte në repartin e mesfushës Kostiçin, por edhe spostimin e mbrojtësit të majtë Kambiaso, si mesfushor më në qendër të fushës.
Kandidat për një fanellë në mesfushë është edhe Hans Nikolusi Kavilja, për të cilin trajneri i Juves, pak ditë më parë ka deklaruar: “Hansi po punon mirë dhe shpejt do të ketë shansin e tij”. Ndoshta ajo me Interin nuk është sfida e duhur, por 23-vjeçari e ka treguar se sa i besueshëm është sa herë skuadra ka pasur nevojë. Ndërkohë, për Interin do të rikuperojë edhe Timoti Ueah ,që me shumë mundësi do të jetë anësori i djathtë i mesfushës.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL