Juventusi është i njohur për besimin e dhënë lojtarëve italianë ndër vite, dhe siç ka ndodhur shpesh në historinë e klubit – sidomos gjatë epokës së lavdishme me nëntë tituj radhazi – “Zonja e Vjetër” kërkon sërish të ndërtojë një skuadër me zemër dhe shpirt italian.
Për merkaton e verës që po afrohet, drejtori teknik Cristiano Giuntoli synon të shtojë në skuadër të paktën dy përforcime me pasaportë italiane që të bashkohen me Locatellin dhe lojtarët e tjerë “Të Kaltër”.
Emri më i njohur është Sandro Tonali, mesfushor i Newcastle dhe i kombëtares italiane, që është kontaktuar disa herë nga Juventusi. Pavarësisht situatës së tij, bardhezinjtë e shohin si një element kyç për ndërtimin e një mesfushë solide dhe kreative.
Në repartin ofensiv, që pritet të pësojë revolucion në verë, janë vënë në shënjestër dy “bomberë” italianë:
Lorenzo Lucca (Udinese)
Mateo Retegui (Atalanta), aktualisht golashënuesi më i mirë i Serie A me 23 gola.
Në plan është edhe përforcimi i mbrojtjes me prurje të reja vendase, duke kërkuar trashëgimtarët e famshme të “BBC”-së historike (Barzagli, Bonucci, Chiellini). Emrat e ndjekur janë:
Pietro Comuzzo, lindur më 2005, talent i Fiorentinës
Giovanni Leoni, lindur më 2006, mbrojtës i Parmës.
Ky orientim drejt lojtarëve italianë vjen pas një periudhe me investime të mëdha për të huajt. Mes verës 2024 dhe dimrit 2025, Juventusi ka shpenzuar mbi 200 milionë euro për 13 lojtarë, ku vetëm portieri Michele Di Gregorio (nga Monza) ishte italian, ndërsa pjesa tjetër e përforcimeve kishin pasaportë të huaj. Një kthim te rrënjët që synon të sjellë jo vetëm identitet, por edhe suksese të reja për klubin më të titulluar në Itali.