Pavarësisht luhatjeve të ndeshjeve të fundit dhe faktit që rrezikon të mbyllë rrugëtimin në Champions League të mërkurën e ardhshme, Juventus po punon që tani për merkaton e verës së ardhshme.
“SportMediaset” zbulon se bardhezinjtë kanë arritur marrëveshjen në parim me mbrojtësin e krahut të djathtë të Romës, Zeki Celik, kontrata e të cilit me verdhekuqtë skadon në qershor dhe nuk ka pranuar rinovimin, duke qenë se ka kërkuar rritje rroge.
Turku kërkon 4 milionë euro në sezon, Roma nuk i ofron më shumë se 2 milionë euro. Ndërkohë, Juventus ka pranuar kushtin e vetëm të anësorit turk dhe është i gatshëm t’i ofrojë atij rrogën që dëshiron. Nëse nuk ndodhi ndonjë e papritur rrugës, Zeki Celik do të jetë lojtar i bardhezinjve për sezonin e ardhshëm.