Federico Chiesa dhe e ardhmja e tij te Juventus për sezonin e ardhshëm vijon të mbetet me pikëpyetje. Sulmuesi anësor ka një kontratë që e lidh me bardhezinjtë deri në vitin 2025, mirëpo ende nuk ka sinjale rinovimi.
Drejtuesit janë të hapur për të vlerësuar ofertat që do të mbërrijnë në drejtim të futbollistit në merkaton e verës teksa gjendja fizike e 26-vjeçarit nuk i bind torinezët.
Ndër të tjera, drejtuesit synojnë që të përfitojnë deri në 40 milionë euro nga një shitje e mundshme e Chiesës në verë, ndërsa kanë edhe besimin se në sezonin e ardhshëm, talenti Kenan Yildiz mund ta zëvendësojë pa problem sulmuesin e kombëtares së Italisë.
Gjithsesi, te Juventus po përgatisin edhe një goditje në sulm që do të financohej me paratë që do të vinin nga shitja e Chiesës. I preferuari i “Zonjës së Vjetër” është islandezi i Genoas, Albert Gudmunsson.
26-vjeçari në këtë sezon ia ka dalë të shënojë nëntë gola me kuqeblutë duke tërhequr vëmendjen e bardhezinjve.
Raportet mes dy klubeve mund ta lehtësojnë këtë tratativë, teksa Juventus është gati t’i ofrojë Genoas edhe të riun Barrenechea që aktualisht është në huazim tek Frosinone.
Sakq, në fokusin e Juventus është edhe Giacomo Raspadorin i Napolit, ndërsa, në listë mbetet gjithnjë edhe emri i Felipe Anderson nga Lazio, një dëshirë e vjetër kjo për bardhezinjtë që këtë verë mund të bëhet realitet pasi braziliani mund të afrohet me parametër zero.