Pas barazimit 1-1 me Bolonjën, në selinë e Juventusit po bëhet llogaria e futbollistëve të gatshëm për ndeshjen vendimtare kundër Lacios, që mund të përcaktojë jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e klubit torinez. Trajneri Igor Tudor përballet me mungesa të rëndësishme si Jildiz që është i pezulluar, ndërsa Kambiazo, Keli, Gati dhe Kopmeiners janë të dëmtuar.
Lajmi i mirë është rikthimi i Vlahoviçit, i cili është stërvitur me grupin dhe mund të jetë në stol për sfidën në “Olimpico”. Për momentin nuk ka ende siguri mbi formacionin, por në mbrojtje pritet titullar Savona, ndërsa Konseisao mund të formojë dyshen me Niko Gonzalezin pas sulmuesit Kolo Muani. Në krahë, mbështetja do të vijë nga Mekeni dhe Ueah.
Me 63 pikë, në të njëjtin nivel me Romën dhe Lacion, Juventusi ndodhet në një pikë kthese të rëndësishme në garën për vendin e katërt, i cili është objektivi minimal i sezonit, por edhe vendimtar për projektet e ardhshme të klubit. Krahasuar me rivalët, bardhezinjtë kanë një kalendar më të favorshëm ku pas Lacios, i presin Udineze dhe Venecia. Në krahun tjetër, Lacio duhet të përballet me Interin dhe Leçen, ndërsa edhe Roma e Bolonja kanë ndeshje të vështira përpara.
Një vend në Champions nuk sjell vetëm prestigj, por do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në strategjinë e merkatos. Pa të ardhurat e kompeticionit më prestigjioz europian, drejtuesit e Juventusit do të detyrohen të orientohen drejt profileve më të lirë e premtues, në vend të përforcimeve të menjëhershme e cilësore. Pikërisht për këtë arsye, sfida me Lacion është shumë më tepër sesa një ndeshje, është një udhëkryq për sezonin dhe për të ardhmen e klubit.
PANORAMASPORT.AL