Juventusi ka një “minierë ari” dhe quhet “Next Gen”. Është pikërisht ekipi i dytë i “Zonjës së Vjetër”, që nxjerr në pah të gjitha talentet bardhezi, të cilat më pas furnizojnë skuadrën A. Emrat janë të shumtë edhe në këtë sezon, duke nisur nga ylli turk, Kenan Jildiz, te Samuel Mbangula, Nikolo Savona e Ruhi.
Jildiz është ndoshta shembulli më i mirë për të treguar se akademia e Juventusit po funksionon si duhet për të krijuar produktin e nevojshëm për ekipin e parë. Talenti turk është kthyer në një pikë referimi për “Zonjën e Vjetër”, një titullar i padiskutueshëm e mbi të gjitha lojtari që ka në dorë çelësat e fantazisë bardhezi. Mirëpo skuadra e dytë nuk ndihmon vetëm ekipin e parë me lojtarë funksionalë që japin për fanellën, por edhe bilancet e ekipit.
Në 6 muajt e fundit, pra në dy sesione merkatoje, mes verës dhe dimrit, “Zonja e Vjetër” ka grumbulluar mbi 100 milionë euro nga shitja e talenteve të dalë nga akademia e që kanë qenë pjesë e “Next Gen”. Në krye të listës qëndron padyshim Matias Sule, një talent premtues për të ardhmen, por që për arsye financiare u shit në verë te Roma për 25.6 milionë euro. Ai është edhe shitja më e shtrenjtë që Juventusi ka bërë nga sektori i të rinjve në 6 muajt e fundit. Gjithashtu Xhuntoli ka shitur dy lojtarë të tjerë për vlerën e 24 milionë eurove.
Bëhet fjalë për Iling Xhuniorin dhe Enzo Bareneçean, që u transferuan në verë tek Aston Vila në Angli. Po në Angli u transferua dhe Din Hauzen për shumën e 15.2 milionë eurove. Edhe në këtë rast, shitja ka ardhur për arsye ekonomike, pranuar më pas edhe nga vetë lojtari. Listës i shtohen padyshim edhe Kaio Zhorzh për 7.2 milionë euro e Nikolusi Gavilja për 5 milionë euro.
De Vinter gjithashtu është shitur nga Juventusi për 10 milionë euro, për të ardhur tek transferimi i fundit, Nikolo Faxholi te Fiorentina. Këta të fundit do të paguajnë 16 milionë euro për mesfushorin, por në rast se arrihen të gjitha bonuest, shuma do të shkojë në 19 milionë euro. Në total, Kristiano Xhuntoli ka grumbulluar mbi 100 milionë euro nga shitjet e talenteve mes verës dhe dimrit. “Next Gen” është kthyer në një minierë ari për arkat e “Zonjës së Vjetër”.
Përgatiti: OREST FLOKU / PANORAMASPORT.AL