Nga faza e parë e Serisë A mun gojnë vetëm dy ndeshje, ku Interi kryeson bindshëm, ndërsa Juventusi ndjek me 4 pikë larg. Që zikaltrit të shpallen kampionë dimri nuk është aspak një çudi, por lufta për titullin kampion kishte kohë që nuk ishte kaq e fortë dhe mbi të gjitha kishte vite që mungonte protagonizmi i dy skuadrave më të urryera mes njëra-tjetrës.
Interi nuk ka dyshime që duket, në letër, por edhe në fushë, ekipe që ka më shumë cilësi, eksperiencë, por edhe një pankinë luksi ku mund të mbështetet. Në të njëjtën kohë është mbrojtja dhe sulmi më i mirë i kampionatit, kështu që do të mjaftonin kaq detaje për të vënë dorën në zjarr se do të jetë skuadra e Simone Inzagit ajo që do të triumfojë në fund. Por kampionati, sidomos ai italian, ka treguar se është një garë me pengesa të frikshme, me të papritura, prandaj për të dalë fitues në fund duket shumë… kokë!
Mund të kesh cilësi, por mjafton një hap i gabuar dhe gjithçka mund të kthehet mbrapsht në mënyrën më të frikshme. Pastaj, në një garë me pengesa nuk është e rëndësishme që të jesh më i shpejti, por duhet të dish të kapërcesh gjithçka tenton të frenojë përpara, të gjesh zgjidhje që të kalosh pa u vrarë apo ndalur. Dhe këtë e bëjnë detajet, nga ato të veçantat që sivjet ka treguar Juventusi se i ka. Pikësëpari bardhezinjtë janë mbrojtja e dytë më e mirë e kampionatit (11 gola të pësuar kundrejt 7 të Interit), por ndërkohë janë ekipi që kanë dërguar më shumë lojtarë të ndryshëm në gol (11), janë ekipi që di të shënojë më shumë se kushdo tjetër nga goditjet standarte (7) dhe duke mbetur te çështja e “kokës”, janë ekipi që shfrytëzon më së miri lojën nga ajri.
Deri tani shifrat thonë se “zonja e vjetër” e shfrytëzon në maksimum supremacinë e saj fizike dhe ajrore, duke qenë se 7 nga 26 golat deri tani në kampionat kanë ardhur me kokë dhe për më tepër me 5 futbollistë të ndryshëm: Dushan Vlahoviç 2 gola, Adrien Rabio 2 gola, Arkadiuzh Milik, Federiko Gati dhe Gleison Bremer secili me nga një gol secili. Ndërkohë, Interi ka goditur 4 herë nga 41 gola nga ajri, me Françesko Açerbin, Lautaro Martinezin, Markus Turamin dhe Jan Bisekun nga 1 gol secili.
Kështu, me këto dy armë më shumë, por mbi të gjitha me dominimin ajror që tregoi edhe me fitoren e fundit ndaj Frozinone, ku Vlahoviç mori ashensorin dhe vendosi shifrat finale në 2-1, pa dyshim që Interi duhet të qëndrojë në alert. Kjo, sepse Juventusi nga ana tjetër, dhe ky faktor nuk duhet të harrohet absolutisht, do të jetë gjithmonë më i freskët sesa zikaltrit, duke mos pasur ndeshje në mesjavë, prandaj do të jetë gjithmonë i rrezikshëm dhe në pritje të gabimit të parë të Interit.
Përgatiti: JETON STAMOLLA- PANORAMASPORT.AL