Milan Skriniar priste shumë më tepër nga përvoja e tij me Paris Saint-Germain. Ish-mbrojtësi i Interit, i ndjekur nga klubi parizien që nga vera e vitit 2022, iu bashkua PSG-së si lojtar i lirë një vit më vonë.
Në fillim të sezonit, ai shpesh ishte pjesë e formacionit titullar të Luis Enrique, por një dëmtim në kyçin e këmbës në janar të këtij viti e largoi nga fusha për tre muaj. Kjo mungesë i kushtoi vendin e titullarit në mbrojtjen e PSG-së.
Pas kthimit, paraqitjet e tij nuk bindën, dhe drejtuesit e PSG-së e vendosën Skriniar në listën e lojtarëve të shitshëm. Edhe pse për të kishte interes nga klube italiane, angleze dhe saudite, lojtari vendosi të qëndronte në Paris për të luftuar për një vend në ekip. Por situata nuk ndryshoi në pjesën e parë të sezonit dhe largimi i tij në merkaton e janarit duket gjithnjë e më i mundshëm.
Sipas raportimeve nga “Footmercato”, Juventusi është destinacioni më i mundshëm për Skriniar, dhe thuhet se ai ka një marrëveshje verbale me klubin torinez.
Me vetëm 381 minuta të luajtura këtë sezon dhe me ardhjen e lojtarëve si Willian Pacho dhe rikthimin e Lucas Hernández dhe Presnel Kimpembe, hapësirat për Skriniar janë zvogëluar. Duke e kuptuar këtë realitet, ai është i hapur për një transferim.
Juventusi, që kishte shfaqur interes për të edhe gjatë verës, ka shtuar përpjekjet për ta marrë në janar, duke kërkuar të zëvendësojë mungesat e Gleison Bremer dhe Juan Cabal për pjesën e mbetur të sezonit. Negociatat me PSG-në kanë nisur, por klubi parizien kërkon një shifër të konsiderueshme, ndërsa Juventus po shqyrton përfshirjen e disa lojtarëve për të lehtësuar operacionin.