Shenja paqeje mes Juventusit dhe UEFA-s. Pas një hapi të parë prapa në lidhje me Superligën, klubi i Juventusit dhe organi më i lartë i futbollit europian janë rikthyer për t’u ulur rreth një tavoline për të diskutuar.
Sipas raportimeve të “Tuttosport”, një delegacion i avokatëve dhe drejtuesve bardhezi ka takuar disa përfaqësues të UEFA-s për t’u përpjekur të punojnë për një marrëveshje mbi dosjen që lidhet me shkeljen e supozuar të marrëveshjes së nënshkruar në shtator 2022, lidhur më çështjet e “fair play”-t financiar.
Një samit eksplorues dhe pozitiv, brenda të cilit pakti i fshehur mund të jetë hipoteza e mospjesëmarrjes me kërkesë të klubit bardhezi në Ligën e Konferencës, turne për në cilin Juventusi u kualifikua pasi u penalizua me 10 pikë për hetimin e plusvalencave.
Për momentin këto janë ende thashetheme dhe nuk ka asgjë zyrtare, por dje UEFA zbuloi një gjysmë të dhëne që duket se i mban gjallë thashethemet. Në fakt, Juventusi ishte i vetmi klub që nuk u përfshi në spotin ku listoheshin të gjitha skuadrat e kualifikuara deri tani në Ligën e Konferencave 2023/ 2024.
“Ishte thjesht një gabim njerëzor”, – u justifikua UEFA kundrejt atyre që e kapën këtë detaj dhe më pas e shpërndanë me të madhe këtë fakt, por në të njëjtën kohë ky mund të jetë konfirmimi i asaj që pritet të ndodhë në ditët në vazhdim. Fundja, edhe heqja dorë nga Liga e Konferencës mund të mos jetë një sakrificë e madhe për Juventusin.
Të mësuar me arena pa dyshim më të rëndësishme, bardhezinjtë mund të kishin një përfitim jo të vogël në aspektin fizik, në luftën e tyre në Serinë A, për vendet e larta të renditjes, duke hequr dorë nga turneu i tretë në hierarkinë e UEFAs.
Sigurisht që tifozët nuk do të ishin aspak të lumtur, sepse fundja, të provosh të fitosh në Europë edhe turneun më pak të rëndësishëm, do të ishte një start i mirë për Juven drejt ëndrrës Champions në të ardhmen e afërt, por ndoshta UEFA kërkon që ta nënshtrojë deri në fund klubin bardhezi, për të treguar se kush urdhëron, edhe kundrejt Barçës dhe Realit, dy të mbijetuarve të fundit të projektit të Superligës.
PANORAMASPORT.AL