Juventusi është duke kërkuar për një sulmues anësor, dhe raportimet nga Italia theksojnë se “Zonja e Vjetër” është e interesuar për Karim Adeyemin e Dortmundit dhe Noni Madueken e Chelseat, së bashku me disa të tjerë.
Me Federicon Chiesan që pritet të largohet nga “Allianz Stadium” gjatë afatit kalimtar të verës, Juventusi ka monitoruar disa sulmues anësor që mund të thellojnë skuadrën e Thiago Mottas për sezonin e ardhshëm.
Gjiganti i Serie A tashmë është lidhur me një transferim të Mason Greenwood dhe Jadon Sancho, por sipas “Gazzetta dello Sport”, Adeyemi i Dortmundit është lojtari që klubi bardhezi po e konsideron.
Raportimet bëjnë me dije se Borussia Dortmund nuk do të pranojë oferta më pak se 30 milionë euro për anësor, por lojtarë të Juventusit mund të përfshihen në marrëveshje, ndër ta Matias Soule dhe Dean Huijsen.
“Tuttosport” shton më tutje, duke thënë se pjesë e listës së Juventusit për përforcime në fazën e sulmit janë edhe disa lojtarë të tjerë.
Një nga ta është edhe Madueke i Chelseat, i cili është i disponueshëm për shumën e 30 milionë eurove.
Edon Zhegrova, sulmuesi kosovar i Lille dhe Patrick Wimmer nga Wolfsburg janë shënjestra më të lira për “Bianconerët”, gjersa pjesë e listës është edhe Alexis Saelemaekers, i cili u rikthye te Milani, pas një viti në huazim te Bologna, nën drejtimin e Thiago Mottas.
Sipas “Corriere dello Sport”, Cristiano Giuntoli mund të ofrojë 7 deri në 8 milionë për belgun.
Juventusi për sezonin e ardhshëm është rikthyer të luajë në Ligën e Kampionëve pas një viti mungesë.