Asambleja e aksionarëve të Juventusit ka miratuar bilancin financiar të mbyllur më 30 qershor 2025, me 99,9% të kapitalit të përfaqësuar në mbledhje. Klubi bardhezi ka regjistruar një humbje prej 58,1 milionë euro, një reduktim i ndjeshëm krahasuar me vitin financiar të mëparshëm, kur humbjet kishin arritur në 199,2 milionë euro.
Kjo përmirësim i dukshëm vjen kryesisht falë rikthimit në UEFA Champions League dhe të ardhurave më të larta nga shitja e lojtarëve. Në asamble u miratua gjithashtu edhe rritja e kapitalit me 10%, që do të kryhet në një ose disa faza, pa të drejtë parapëlqimi për aksionarët ekzistues.
Mbledhja, që zgjati gati tri orë, u zhvillua në “Allianz Stadium” të Torinos. Në fund, presidenti Gianluca Ferrero falënderoi drejtorin ekzekutiv në largim, Maurizio Scanavino, duke e vlerësuar për punën e bërë “me përkushtim dhe pasion në vite të vështira”. Ai shtoi se “janë vendosur themele të forta për të ardhmen e klubit”.
Scanavino, në fjalën e tij të fundit, u shpreh mirënjohës: “Këto kanë qenë vite sfiduese, por jemi krenarë që kemi krijuar baza për sukseset e ardhshme. Do të shihemi në stadium.”
Asambleja miratoi gjithashtu edhe këshillin e ri drejtues me nëntë anëtarë: Gianluca Ferrero, Damien Comolli, Antonio Belloni, Guido de Boer, Laura Cappiello, Fioranna Vittoria Negri, Kerstin Andrea Lutz, Diva Moriani dhe Francesco Garino (përfaqësues i aksionarit minoritar Tether, që zotëron 11,5% të klubit).
Ferrero u konfirmua si president i Juventusit, ndërsa Damien Comolli mori zyrtarisht detyrën e drejtorit të ri ekzekutiv.


